Universiteti i Prishtinës Pret që t’i Kthehet Prona

Pas tensioneve të krijuara kohëve të fundit rreth kishës së papërfunduar ortodokse ka reaguar edhe vetë Universiteti i Prishtinës.

Përmes një komunikate, UP ka shprehur shqetësimin për ngjarjet e fundit rreth kësaj kishe.

Të shtunën, një grup studentësh u mblodhën tek objekti i papërfunduar fetar, për të cilin thanë se është okupues i hapësirës universitare.

Gjatë këtij aktiviteti ata u penguan nga Policia që t’i afroheshin kishës. Por, në fund arritën ta vendosin një pankartë, e cila u hoq pas pak minutave.

http://kallxo.com/aksioni-i-studenteve-para-kishes/

Në komunikatën e tij Universiteti “Hasan Prishtina” thotë se procesi i ndërtimit të kësaj kishe ka uzurpuar pronën e Universitetit përmes rrugëve juridike të pushtetit të dikurshëm që promovonte dhunën.

“Është botërisht i ditur procesi i ndërtimit të këtij objekti në pronën tonë, sikundër që edhe baza juridike e këtij ndërtimi e ofruar nga një pushtet që për dekada promovoi dhe ushtroi dhunën dhe terrorin. Sidoqoftë, neve shpresojmë që institucionet tona, përmes rrugëve politike dhe juridike, do qartësojnë situatën duke na kthyer pronën mbrapa, në mënyrë që neve bashkë me studentët të vazhdojmë rrugën e avancimit akademik, të lirë dhe njëjtë për të gjithë”, thuhet në komunikatën e UP-së.

Po ashtu, në këtë komunikatë thuhet se UP nuk ka për synim interferimin në liritë fetare e as mosrespektimin e komuniteteve.

“Ky qëndrim në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si interferim në kontekst të lirive fetare dhe respektit të komuniteteve në Kosovë, të cilat duhet te mbrohen dhe respektohen”, thuhet aty.