Martin Shkafja, udhërrëfyes turistik

Turistët e Huaj Gjallërojnë Bjeshkët e Namuna

Pas 25 vjetësh punë në gjeologji, Martin Shkafja ishte në kërkim të një profesioni të ri në mesin e viteve ’90, kur një grup turistësh francezë e pajtoi si udhërrëfyes të aventurës së tyre drejt malit të Jezercës.

Njëzet vjet më vonë, ai numëron me qindra turistë të shoqëruar në rrugë të rrezikshme dhe zona të thella të Bjeshkëve të Namuna; një profesion të cilin thotë se do ta vazhdojë derisa ta lënë fuqitë.

Martini ka lindur në Theth, ndërsa puna e tij në kohën e komunizmit i ka mundësuar të njohë si në pëllëmbë të dorës edhe Valbonën e Vermoshin-tri destinacione të preferuara të turizmit malor në Shqipëri.

Në një intervistë për BIRN, udhërrëfyesi tregoi se turistët e huaj vijnë në kërkim të aventurës në Shqipëri, të etur për shtigje të pashkelura dhe të interesuar për të parë lugina, shpella dhe kafshë të rralla. Një pjesë e tyre vijnë të përgatitur me harta dhe udhëzime, por ato hyjnë pak në punë përballë vështirësive të terrenit.

”Të huajt kanë harta me vete, por ato nuk shërbejnë përballë vështirësive që hasim në terren. Vazhdimisht duhen gjetur rrugë të reja kalimi,” thotë Martini.

Bjeshkët e Namuna kanë tërhequr historikisht vëmendjen e të huajve për shkak të natyrës së rrallë dhe kodeve zakonore që ndjekin banorët e këtyre zonave. Ato janë një kurriz malor në Alpet Shqiptare me një gjatësi 12 kilometra dhe gjerësi 5 deri në 7 kilometra, të karakterizuara nga relievi i thyer, natyra e ashpër dhe mungesa pouthajse e plotë e bimëve në lartësi mbi 1500 metra, nga ku rrjedh dhe emri i tyre. Por përgjatë dekadës së fundit, numri i turistëve ka shënuar një rritje të rëndësishme, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për vendasit.

Me përshtatjen e shtëpive për vizitorë dhe krijimin e një tradite të re të turizmit familjar, banorët e këtyre zonave zhvilluan paralelisht edhe aftësi të tjera. Udhërrëfimi për turistët është njëra prej tyre.

Martin Shkafja e përshkruan punën e tij si të vështirë, që kërkon durim dhe maturi. Vetë ai planifikon udhëtime në pranverë, verë dhe vjeshtë, ndërsa në dimër refuzon t’u ngjitet maleve për shkak të rrezikut, edhe pse kërkesat nga turistët e huaj nuk mungojnë.

Rruga më e rrahur nga turistët është ajo që nis nga Thethi e përfundon në Valbonë, që shkon deri në 9 orë. Por Martin Shkafja ka drejtuar udhëtime që shkojnë deri në tre apo pesë ditë përgjatë gjithë malësisë së Veriut.

Në këto udhëtime të gjata, turistët flenë ku i zë nata, ndërsa banorët e Alpeve hapin shtëpitë e tyre dhe ofrojnë mikpritje-një tipar i rrallë ky për shqiptarët. Por aventurave të tilla nuk u mungojnë edhe të papriturat.

”Para katër viteve po ecnim nga Curraj në Valbonë me disa alpinistë amatorë, të cilët i kishin ngarkuar pajisjet e tyre në një mushkë. Por terreni ishte i rrëshqitshëm, ndaj u detyruam të shkarkonim kafshën dhe dy vetë ta tërhiqnin nga bishti që të mos rrëzohej,” tregon ai me shaka.

Përveç eksplorimit të natyrës së rrallë, turistët entuziazmohen veçanërisht kur përballen me kafshë të egra. Zonat më të pasura me kafshë të egra, sipas udhërrëfyesit janë Curraj i Epërm, Thethi dhe Valbona.

Martini rrëfen për “takime“ me arinj dhe ujq, që për çudinë e tij nuk i trembin turistët që nxitojnë t’u bëjnë foto.

“Ariu është problematik në verë, ndërsa ujku në dimër. Ujku është më i frikshëm, por ikën shpejt kur sheh njerëz,” thotë ai.

Dhitë e egra janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen e të huajve, por ato janë kafshë shumë të shpejta dhe shpesh largohen pa u lënë kohë të bëjnë foto.

Tarifa e Martin Shkafjes për këtë shërbim është 50 euro dita, pavarësisht nga madhësia e grupit që shoqëron. Por i moshuari tregon se kënaqësia e tij më e madhe është kur gjithçka shkon mbarë dhe pa probleme.

Shtimi i turistëve, shqiptarë apo të huaj ka sjellë gjallëri në Alpet e ashpra të Shqipërisë, aq sa vendasit kanë vendosur t’u ndryshojnë deri edhe emrin Bjeshkëve të famshme. Kanë filluar t’i quajnë Bjeshkë të Bekuara, në mirënjohje të bukurive natyrore dhe rritjes së mundësive ekonomike.

Kisha në Theth
Kisha në Theth

Qendra e Thethit

Marrë nga reporter.al.

Qendra e Thethit