Tre Deputetë të Dyshuar për Mbajtje të Gazit Lotsjellës

Policia e Kosovës përmes një komunikate njofton se 6 persona, tre prej tyre deputetë, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (gazit lotsjellës)”.

“Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas Zyrës për Informim të Policisë, 6 persona, tre prej tyre deputetë, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (gazit lotsjellës)”.

“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet më tutje në komunikatë.

Komunikata e Policisë vjen pas ankesave të deputetëve të opozitës se po i largojnë me dhunë nga salla ku po mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për vitin 2016.