Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Foto: Twitter.

Tony Blair mohon përfshirjen në projektin e Kosovës

Ish-kryeministri britanik u takua privatisht me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi këtë muaj dhe nuk është i përfshirë në ndonjë projekt në Kosovë, tha për BIRN Instituti Tony Blair për Ndryshim Global.

Pasi Hashim Thaçit njoftoi se kishte pasur një takim me ish-kryeministrin britanik Tony Blair më herët këtë javë, Instituti Tony Blair për Ndryshimin Global tha të martën se Blair u takua me presidentin e Kosovës në një kapacitet personal.

“Zoti Blair e njeh presidentin Thaçi prej një kohe të gjatë dhe e takoi atë në një kapacitet personal,” tha Instituti Tony Blair për BIRN në një përgjigje me shkrim.

Instituti mohoi të ketë ndonjë formë projekti në Kosovë.

“Siç kemi thënë më parë, zoti Blair është i interesuar për rajonin dhe njeh persona të rëndësishëm, por dëshira e tij e vetme është të shohë një zgjidhje që përshëndetet nga të gjithë dhe që sjell stabilitet në rajon,” tha ai.

Thaçi postoi në Twitter një fotografi ku kishte dalë me Tony Blair më 8 dhjetor, duke thënë se të dy politikanët u takuan në Londër.

Takimi u zhvillua katër ditë pasi BIRN raportoi se instituti i ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar po kërkonte të punësonte një këshilltar të lartë për një post në Beograd, për të këshilluar zyrtarët e lartë mbi çështjet e qeverisjes.

“Instituti ka një projekt në vazhdim në Serbi, i cili ndihmon në mbështetjen e ofrimit të shërbimeve publike. Kjo është pjesë e punës më të gjerë jo-fitimprurëse të Institutit që mbështet qeveritë në mbarë botën dhe i është ofruar pa asnjë kosto qeverisë serbe,” tha Instituti për BIRN.

Zyra e kryeministres serbe Ana Brnabiç dha një përgjigje të ngjashme.

“Instituti Tony Blair ka një projekt në vazhdim në Serbi që ndihmon në ofrimin e shërbimeve publike. Projekti është pjesë e punës më të gjerë jofitimprurëse të Institutit, i cili mbështetet nga qeveritë në mbarë botën. Projekti nuk financohet nga buxheti i Republikës së Serbisë,” tha zyra e Brnabiç për BIRN.

Ajo tha se BIRN duhet të kontaktojë Institutin për informacione mbi financimin e projektit.

Instituti nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it lidhur me financimin e projektit, por konfirmoi se Blair ka pasur takime me zyrtarë serbë.

“Gjatë rrjedhës së punës sonë të vazhdueshme në Serbi, zoti Blair u takua me zyrtarë si në këtë administratë ashtu edhe në atë të mëparshme,” tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që Blair lidhet me punë konsulence për qeverinë serbe.

Ish-lideri i Partisë Laburiste Britanike dhe ish-kryeministri e shtoi Serbinë në listën e vendeve që ai ishte paguar për të këshilluar në vitin 2015.

Kryeministri i atëhershëm i Serbisë, tani presidenti Aleksandër Vuçiç, pranoi një kontratë me konsulentin e Blair për të ngritur një “njësi shpërndarjeje”, e cila u pagua, sipas burimeve zyrtare serbe, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tregoi një investigim i përbashkët i BIRN dhe Guardian.

Operacione në Ballkan të Blair përfshinë Shqipërinë në vitin 2016, kur zyra e tij konfirmoi për BIRN se çështjet e tij me vendin kishin përfunduar.