Therje me thikë në qendër të Prishtinës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 11, në sheshin “Nëna Tereze” në Prishtinë, një person është therë me thikë si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha për KALLXO.com se policia ka dalë në vendin e ngjarjes menjëherë sapo e ka marrë informatën për këtë incident.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka hasur në viktimën të cilit i është ofruar ndihma mjekësore nga ana e mjekëve në terren dhe më pas i njëjti është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë”, tha Borovci.

“Sipas informacioneve të para është ngritur versioni i hetimit se pas një mosmarrëveshjeje që i dyshuari kishte me viktimën në zyrën e tij, ai e kishte sulmuar atë me shufër hekuri si dhe me pas e kishte therë me thikë duke i shkaktuar lëndime trupore”, shtoi ai.

Zëdhënësi Borovci tha se i dyshuari është identifikuar dhe policia po punon për lokalizimin e vendndodhjes së tij.