Policia me operacion kundër një grupi fajdexhinjsh

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e realizuar një operacion ndaj një grupi kriminal që dyshohet se merrej me fajde në rajonin e Pejës dhe të Prishtinës.

Në njoftim thuhet se deri më tani janë arrestuar tre persona.

Ndërkaq, nga Prokuroria e Pejës bëjnë të ditur se kanë arrestuar katër persona të dyshuar për veprat penale “Fajde, detyrim dhe rrëmbim”.

“Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamentit të Krimeve të Rënda, Policia e Kosovës ka bastisur disa lokacione ne kompetencë territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe janë arrestuar dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit 4 persona të dyshuar për veprat penale Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim” – tha zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Policia ka paralajmëruar se do të informojë lidhur me zhvillimet dhe rezultatet e operacionit.