Raportimet për dhunën e burrit ndaj një gruaje në Prizren, Policia identifikon të dyshuarin

Policia e Kosovës e ka identifikuar të dyshuarin për dhunën fizike ndaj një gruaje në Prizren.

Në mediat vendore të enjten (20.06.2024) ka qarkulluar një video në të cilën shihet një burrë duke ushtruar dhunë brutale ndaj një gruaje.

KALLXO.com për këtë rast ka kontaktuar me Policinë e Kosovës. Zëdhënësi i këtij institucioni për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë se i dyshuari është identifikuar.

Sipas Bytyqit sapo është publikuar video regjistrimi, hetuesit e stacionit policor të Prizrenit kanë ndërmarr veprime hetimore dhe është identifikuar i dyshuari.

Tutje ai tha se policët janë duke punuar në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.