Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi: Shumë Shpejt Transformimi i FSK-së në Ushtri

Presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi nga ceremonia e Epopesë së UÇK-së se në ditët në vijim, shumë shpejt, transformimi i FSK-së në Ushtri do të bëhet realitet.

“Në ditët në vijim, shumë shpejt, brenda kompetencave kushtetuese që kam do të angazhohem që transformimi FSK-së, themelimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës të bëhet realitet”, ka thënë Hashim Thaçi.

Presidenti tha se për të, por edhe për të gjithë qytetarët e vendit, pjesëtarët e oficerët e FSK-së janë ushtarët e oficerët e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri gjatë ceremonisë ushtarake të FSK-së, në nderim të Epopesë së UÇK-së.

Lidhur me përvjetorin e rënies së kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, në altarin e lirisë, presidenti Thaçi tha se Epopeja e Prekazit në analet e historisë do të kujtohet si sakrifica më madhore.

Për betejën e 5, 6 e 7 marsit 1998, Thaçi tha se u shndërrua në forcë mobilizuese e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, përpjekje që u mbështet edhe nga vendet më demokratike dhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO.

Po ashtu, presidenti Hashim Thaçi theksoi se asnjë qëndrim i qarqeve dashakeqe nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së dhe të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Ai i quajti heronj të Kosovës edhe ata ushtarë të UÇK-së që po mbahen në burgje.

http://kallxo.com/fsk-nderon-epopene-e-uck-se/