Presidenti Thaçi gjatë seancës solemne | Foto: KALLXO.com

Thaçi: Nuk ka Ndryshuar Veç Dashuria për Vendin

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nëntëvjetorin e pavarësisë, Presidenti Hashim Thaçi tha se shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë, por jo edhe dashuria e kosovarëve për vendin e tyre.

“Kosova ka bërë shume arritje, kemi ndryshuar shumë. Por nuk ka ndryshuar dashuria jonë për njëri-tjetrin, për vendin tonë”, tha Thaçi.

Presidenti tha se kemi arritur shumë, por këtë nuk po e vërejmë nga sfidat e përditshme.

“Sot e kuptojmë se sa larg kemi arritur, por nga sfidat e përditshme nuk mund t’i vërejmë hapat e mëdhenj që kemi bërë, por janë mërgimtarët tanë që na e kujtojnë sa herë vijnë në Kosovë,” tha Thaçi.

Thaçi vlerësoi lart urimin e Presidentit Trump për përvjetorin e pavarësisë.

“Me lejoni t’u përcjell urimet nga Presidenti Trump. Jemi mirënjohës. Këshillat e ShBA-së kanë qenë në thelb për ne si shtet”, tha Thaçi.

Thaçi tha se për të mirën e vendit duhet të jemi bashkë.

“Ne mund të dallojmë në bindjet politike, por duhet të jemi unikë për vendin. Kosova mbi të gjitha dhe për të gjithë”, tha Thaçi.