Hashim Thaçi në takim me Valdete Dakën Foto: ZPRK

 Thaçi: Jam i gatshëm t’i shpallë menjëherë zgjedhjet

Presidenti Hashim Thaçi ndonëse ende nuk i ka pranuar në takim partitë politike në Kosovë, thotë se është i gatshëm t’i shpallë zgjedhjet menjëherë.

Ai këtë komente e ka dhënë pas takimit me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e zyrës së presidencës.

Ai ka bërë të ditur se do t’i shterojë të gjitha mundësitë në konsultim me partitë politike në Kuvend për situatën e krijuar politike në vend.

Thaçi thotë se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e ka njoftuar se institucioni që ajo drejton është e gatshme për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Presidenti Thaçi ka theksuar se është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re,  funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejtë, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas takimit, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se nuk kanë diskutuar për datën e zgjedhjeve pasi që po presin t’i shtjerrin të gjitha mundësitë.

https://kallxo.com/daka-pas-takimit-me-thacin-nuk-diskutuam-per-data-do-te-shterren-te-gjitha-mundesite/

.