Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi e Vuçiq Bisedojnë në Telefon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë të cilës kanë diskutuar për çështje të ndryshme, e njëra ndër to edhe vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në një postim në profilin e tij në ‘Facebook’, Thaçi ka shkruar se janë trajtuar çështje të ndryshme që kanë interes të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.

“Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy presidentëve, ishte edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq. Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiq se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, shkruan Thaçi në “Facebook”.

Sipas postimit, Thaçi ka theksuar se organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshme që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.

Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme organeve kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur, për të zbuluar kryerësit e kësaj vrasje, thuhet në postim.