Thaçi: Çfarë kaçiku kemi ne që ta pengojmë paqen në Ballkan?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur që taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe po cenon marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-të.

Në një konferencë për shtyp, Thaçi bëri apel që të largohet taksa, sepse sipas tij, po vë pengesa në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi së mbi ndonjë veprim elektoral taktik të marrim. Raportet më ShBA janë më të rëndësishme sesa çdo interes elektoral, kushdo që i cenon investimet e SHBA-ve në Kosovë natyrisht që nuk ka mbështetje qytetare dhe përkrahje. Nëse ndokush në Kosovë pret që Serbia ta ndihmoj Kosovën i tejkalon kornizat e naivitetit, prandaj me rëndësi është që ne të mos gabojmë dhe të jemi unikë”, tha presidenti në një konferencë për media.

Thaçi thotë se nuk do që Serbia të ketë favore për shkak të zhvillimeve, pasi që sipas tij, Serbia meriton përtej taksës.

“Vazhdoj të apeloj që Kosova të mos vërë pengesa në dialog. Nuk dua të lejojmë që Serbia të ketë favore për shkak të zhvillimeve, Serbia meriton përtej taksës. Por ne duhet të shikojmë më larg sesa vetëm politikat elektorale. Aty ku janë SHBA-të do të jemi edhe ne, çfarë kaçiku kemi ne me e pengu paqen në Ballkanin perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi disa ditë më parë kishte potencuar se duhet larguar taksa, duke e konsideruar si “tekë i liderëve politikë”.