Foto: Ilustrim
Tentojnë ta Grabisin Pompën, Plagosin Tre Persona
Sipas zëdhënësit të Policisë të Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani, ngjarja ka ndodhur sot në mesditë.
“Ne kemi pranuar një informatë se në një pompë benzine në fshatin Shillovë dy persona të armatosur kanë tentuar ta grabisin pompën e më pas edhe kanë gjuajtur me armë zjarri”, ka thënë Hashani për KALLXO.com.
“Policia e Kosovës ka reaguar me shpejtësi dhe në vendin e ngjarjes ka arrestuar njërin nga të dyshuarit, qytetar i komunitetit serb, kurse i dyshuari tjetër, i njohur për Policinë, ka arritur të ikë me një motoçikletë. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë”, ka treguar po ashtu zëdhënësi.
Në kërkim të të dyshuarit të dytë Policia ka gjetur në afersi të fshatit Shillovë edhe motoçikletën me të cilën besohet se ka ikur i dyshuari.
Po ashtu, Hashani e konfirmoi për KALLXO.com se ka persona të lënduar dhe se ata janë pjesëtarë të komunitetit serb.
“Në këtë ngjarje të grabitjes ka pasur edhe persona tjerë të lënduar nga ana e banorëve. Tre persona, të gjithë serbë, janë lënduar apo plagosur nga arma e zjarrit”, shtoi Hashani.
Zëdhënësi tha më tutje se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërsa njësitet policore janë duke e hetuar rastin.