Telashet mes mësimdhënësit e drejtorit në Gjimnazin 'Luigj Gurakuqi' në Klinë - VIDEO

Isuf Buzhala mësimdhënës i gjuhës Frënge në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë thotë se ka shumë probleme me drejtorin e kësaj shkolle, Xhafer Bashota.

“Unë kam hy me mbajt orën mësimore ka ardh drejtori me hospitu në orë mësimore. Pas 5 minutash ka hy koordinatori dhe faktikisht qysh vet kaloni në pozitën e drejtorit, kur drejtori drejtohet me fjalë kërcënuese brenda orës mësimore, me sa e di unë ai s’guxon me qel gojën. Ai pastaj kalon në tema personale”, thotë ai.

Ai po ashtu thotë për KALLXO.com se Bashota ka sjellje jo të duhura edhe me nxënësit e asaj shkolle.

“Ju thotë o trullan djemve, vajzave kush ti ka shky farmerkat natën etj., etj. Deri para pak kohe krejt i ka fut nxënësit në drejtori dhe i ka rrahë me thupër”, shton ai.

Gjatë deklaratës së Buzhalës për KALLXO.com, kishte hyrë drejtori Bashota, e këtë ndërhyrje profesori e cilësoi kërcënim.

Sa i përket pretendimeve të profesorit, drejtori Xhafer Bashota tha se ai nuk është i përgatitur profesionalisht.

“Është shumë mësimdhënës i papërgatitur profesionalisht. Nuk mbahet ora mësimore një muaj ditë me një laptop edhe tri fotografi. Është një plan program të cilin duhet me respektu. Se në çfarë niveli është me plan programin më ka raportu koordinatori i cilësisë, Halil Desku, që ka fol me të edhe ia ka tërheq vërejtjen i ka thënë që nuk je absolut kurrkund me planprogram mësimor”, thotë ai.

Ai po ashtu mohon të jetë sjellur keq edhe me nxënësit.

“Sikur të sillesha vrazhdë me nxënës..unë prej vitit ’99, tash do ta kisha kry edhe burgun e do të isha kthy prapë. Sot nxënësi duhet të trajtohet tamam siç është nxënës. Krejt këto vërejtje, kam bindjen e plotë, vijnë prej një kategorie të mësimdhënësve të cilët vetë nuk janë në nivel të obligimeve të cilat i kanë marrë prej shoqërisë”, ka thënë ai.

Edhe nxënësit kanë mohuar që Bashota sillet në mënyrë jo të duhur me ta.

“Ndonjëherë që ndonjë nxënës nuk e ka uniformën atëherë drejtori mundet me marr masa ndoshta me ndonjë fjalë qortuese, por deri tek dhuna fizike nuk ka ndodhur. Nuk kam dëgjuar për ndonjë rast”, ka thënë nxënësja N. N.

“Përveç që ka kërkuar që ne rregullat dhe ligjet me i zbatu. Siç janë uniforma, dëgjimi dhe respektimi i profesorëve”, tha një nxënëse tjetër.

Kurse, drejtori i Arsimit në Klinë, Arben Limanaj thotë ka informacione se Bashota nuk ka sjellje korrekte.

“Për ankesa dhe komunikim jo të mirë e kemi marrë këtë informatë nga arsimtarë të shkollës së mesme gjithashtu edhe me ndonjë rast të caktuar nga ana e nxënësve, diçka me shkrim nga ana e inspektoratit ende s’kemi marrë sa jam në detyrë”, shton ai.

Udhëheqësi i Inspektoratit të Arsimit në Pejë, Fadil Kelmendi ka thënë për KALLXO.com se aktualisht nuk ka asnjë denoncim për drejtorin e këtij gjimnazi, mirëpo siç tregon ai, ka pasur ankesa të ndryshme viteve paraprake.

KALLXO.com ka pranuar katër vendime nga ky Inspektorat, në të cilin tre kanë të bëjnë me ankesat e nxënësve ndaj drejtorit në fjalë dhe një nga një mësimdhënës.