Të Akuzuarit për Shpërdorim të 300 Mijë Eurove Dalin Para Gjyqit

Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Dushku, të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare u paraqitën sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për të dëgjuar leximin e akuzës që rëndon mbi ta.

Prokurorja e këtij rasti Ferdane Sylejmani tha se të akuzuarit kanë shpërdoruar 300 mijë euro.

”Me datë 6 shtator 2006 në bankën ‘Kasabank’ në Graçanicë, të pandehurit pas marrëveshjes paraprake në cilësinë e personave zyrtarë kanë shpërdoruar pozitën e tyre duke përpiluar një dëftesë të falsifikuar sipas së cilës i akuzuari Xhemshit Dedinca është i autorizuar i të dëmtuarës Sava Arsiq”, tha prokurorja Sylejmani.

Sipas aktakuzës, të pandehurit këtë dëftesë e kanë përdorur në një lëndë të natyrës civile në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Kinse i dëmtuari Sava Arsiq, ka autorizuar dhe pranuar shumën prej 300 mijë euro dhe nga kjo rezulton dobi pasurore që tejkalon shumën prej 5 mijë euro”, tha Sylejmani.

Prokurorja Sylejmani tha se të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkryerje.

Pas leximit të aktakuzës të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin qershor.