Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Të akuzuarit deklarohet për rrahjen tek Moteli

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka filluar gjykimi kundër të akuzuarve lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, në vitin 2013.

Gjatë mbajtjes së seancës se shqyrtimit fillestar dy të akuzuarit Mursel dhe Binak Hasani janë deklaruar të pafajshëm. 

Sipas aktakuzës së prokurorisë themelore të Mitrovicës Mursel, Istref dhe Binak Hasani, akuzohen se 28 shtator 2013 në Mitrovicë, në “Motel Fortuna”, e kanë sulmuar të dëmtuarin Kreshnik Isufi.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshje, të njëjtin e godasin me shqelma dhe grushte rreth 5 minuta dhe i shkaktojnë ndrydhje dhe gërvishtje në regjionin e hundës dhe thyerje në kockën e hundës, e që është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë mbajtjes së seancës të akuzuarit duke u deklaruar lidhur me fajësinë u shprehen se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale më të cilën akuzoheshin nga prokuroria .

Të akuzuarit Hasani, u shprehën se askujt nuk i kanë shkaktuar lëndime trupore, dhe se e gjitha kjo sipas tyre, ka qenë veprim i vetë të dëmtuarit në këtë rast, Kreshnik Isufi.

Meqë të akuzuarit Mursel dhe Binak Hasani janë deklaruar të pafajshëm, gjyqtari i rastit Bekim Veliqi, i njoftoi ata se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe provat e cekura në aktakuzë.

Në këtë rast përveç dy të lartcekurve ka qenë i akuzuar edhe Istref Hasani, mirëpo gjykatësi Veliqi nga ana e të akuzuarve Mursel dhe Binak Hasani u njoftua se i akuzuari Istref Hasani ka ndërruar jetë para disa muajve.

Lidhur me këtë, gjykatësi Bekim Veliqi kërkoi nga i akuzuari Mursel Hasani, i cili u shpreh se të akuzuarin Istref Hasani e ka pasur vëlla, që në seancën e radhës të sjellë certifikatën e vdekjes dhe të verifikohet vdekja e tij.

Kurse paraprakisht gjykatësi Veliqi, pasi që nuk ka pasur kundërshtime as nga ana e prokurorit të rastit Arian Xhema, lidhur me të akuzuarin Istref Hasani ka veçuar procedurën penale.