Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Me Kodin e ri Penal, vozitja në gjendje të dehur ju çon në burg

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se viti që po lëmë pas me shumë të vdekur në komunikacion dhe kjo kërkon angazhimin tonë për të edukuar, parandaluar dhe sanksionuar rrethanat që mund të nxisin fatkeqësi komunikacioni.

Sipas Tahirit, Kodi i ri Penal krahas masave tjera, ka ridefinuar kualifikimin si vepër penale të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, duke bërë dallimin mes kundërvajtjes dhe veprës penale.

“Me Kodin e ri Penal, tejkalimi i normave të parapara dhe vozitja në gjendje të dehur do t’iu dërgojë në burg. Kosova nuk ka njerëz për të humbur, aq më pak në komunikacion, si shkak i pakujdesisë që nxitet nga ngasja në gjendje të dehur”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tutje ministri ka thënë se ky veprim ka qenë i nevojshëm që të merret përsipër përgjegjësia shtetërore në parandalimin e veprave të tilla dhe edukimin e qytetarëve.

“Shpresoj se këto masa do të ndikojnë për të stimuluar një përgjegjësi më të madhe të të gjithë ngasësve dhe për të mundësuar udhëtime të sigurta për qytetarët tanë.”, përfundon ai.