Suma: Marrëveshja që ua Lehtëson Jetën Qytetarëve

Nga fillimi i implementimit të Marrëveshjes së 8 shkurtit 2016 për kalimin e kufirit Kosovë-Maqedoni vetëm me letërnjoftime do t’u lehtësohet jeta shtetasve të dy vendeve, sidomos e banorëve të brezit kufitar, të cilët kanë lidhje farefisnore. Kështu thotë kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Në një intervistë për KALLXO.com, Suma tha se ky vendim do të ketë një impakt pozitiv në jetën e qytetarëve, sidomos për ata që jetojnë në lokalitete buzë kufirit, si Hani i Elezit dhe fshatrat e tij.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i mirë në interesin e qytetarëve të Kosovës, e në veçanti në interesin e qytetarëve të zonave kufitare, e sidomos të komunës së Hanit të Elezit, për shkak se, siç e dini, Hani i Elezit ka lidhje farefisnore me Maqedoninë dhe kjo lehtëson qarkullimin e lirë”, tha Rufki Suma.

Sipas kryetarit të Hanit të Elezit, ky lehtësim manifestohet edhe në koston e qytetarëve të komunës që e drejton ai, të cilët për shkak të vizitave të shpeshta në Maqedoni është dashur që deri dy herë brenda vitit të ndërrojnë pasaportat e tyre.

I pari i Hanit të Elezit tha po ashtu se dëshiron t’i njoftojë qytetarët se kjo Marrëveshje vlen vetëm për personat që kanë letërnjoftime biometrike, e jo edhe për ata që kanë letërnjoftime të zakonshme.

Po ashtu, Rufki Suma tha vendi ka nevojë edhe për pika të reja kufitare me Maqedoninë. Sipas tij, pikat e reja do të përshpejtonin edhe më shumë qarkullimin.

“Realisht ka nevojë edhe për pika të tjera kufitare. Ne edhe para disa viteve kemi bërë kërkesë që të hapet një pikë kufitare mes Hanit të Elezit dhe Radushës në Maqedoni, mirëpo atë që e përmendi sot zëvendësministri me siguri e ka pasur fjalën për Stanqiq, për shkak se atje janë bërë përpjekjet mes dy Qeverive që të hapet një pikë kufitare dhe unë mendoj se ka nevojë që të hapen edhe pika të tjera kufitare”, tha Suma.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha, gjatë ceremonisë së fillimit të zbatimit të Marrëveshjes me Maqedoninë për kalimin e kufirit me letërnjoftime tha sot se Kosova dhe Maqedonia janë në fazën finale të realizimit të një projekti për një pikë të re kufitare.

Hoxha nuk specifikoi se për cilën pikë kufitare bëhet fjalë.

Komuna e Hanit të Elezit tradicionalisht ka mbajtur lidhje të ngushta me Maqedoninë për shkak se shumë familje janë të ndara në të dy anët e kufirit.

Hanit i Elezit është 23 kilometra larg nga kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, ndërsa 66 kilometra nga kryeqyteti kosovar, Prishtina.

http://kallxo.com/fillon-kalimi-kufirit-leternjoftime/