Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Subjektet Politike Përshëndesin Lirimin e Haradinajt

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur “lajm të gëzueshëm” lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga drejtësia franceze.

“Vendimi i Gjykatës Franceze është lajm i gëzueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky vendim, konfirmon se aktakuzat e Serbisë kundër luftëtarëve të UÇK-së janë të pabaza, të padrejta dhe kanë synime manipuluese politike dhe janë tendencë e hapur për zhytjen e rajonit në destabilitet dhe konflikte”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Edhe Nisma për Kosovën i është gëzuar lirimit të liderit të partisë me të cilën kanë bërë koalicion parazgjedhor.

Në një komunikatë, kjo parti opozitare vlerëson se lirimi i Haradinajt është një fitore ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat çdo herë kanë synuar të destabilizojnë Kosovën dhe të barazojnë luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviqit.

Ndërsa, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka uruar Haradinajn përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

“Urime z.Haradinaj, dhe të gjithë qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Limaj.

Pas lirimit të Haradinajt, ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në profilin e saj në “Facebook”, Jahjaga ka thënë se Kosova edhe njëherë është treguar e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare.

“Ky vendim rrëzon përpjekjet e Serbisë për ta zbehur padrejtësisht përpjekjen dhe luftën për liri të qytetarëve të Kosovës dhe për ta minuar përparimin tonë si shoqëri”, thuhet në postimin e Jahjagës.

Vendimin e gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt e ka përshëndetur edhe Partia e Ashkalinjve për Integrim.

PAI e konsideron Haradinajn një njeri me vlera të mëdha.

“Haradinajt i dëshirojmë të gjitha të mirat në jetë tani pas lirimit dhe suksese ne skenën politike dhe publike në Kosovë. Z. Haradinaj ishte dhe do të mbesë  njeri i respektueshëm dhe me vlera për ne, për kontributin dhe angazhimin e tij, dhe të familjes së tij që kanë dhënë për shtetin e Pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.