Studentët e Biokimisë kërkojnë organizim të moduleve shtesë për licencim

Mungesa e licencave për studentët e Biokimisë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë diplomuar në vitin 2014 nuk po ua lejon punësimin në institucionet publike dhe as në ato private.

E për të gjetur zgjidhje rreth kësaj çështje ata kanë protestuar tek Ministria e Arsimit,  Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për organizim të moduleve shtesë për licencim.

Përfaqësuesi i studentëve të Biokimisë, Hasim Avdijaj, i cili kishte diplomuar në vitin 2014 tha se diploma e tij nuk po njihet askund dhe se pa licencë nuk mund të pranohet në asnjë punë.

Ai shtoi se institucionet për zgjidhjen e këtij problemi po ia hedhin fajin njëra-tjetrës

“Në kërkojmë krijimin e kushteve prej Ministrisë së Arsimit për organizim të moduleve që i ka kërkuar rektorati dhe Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të na lëshohet licenca. Ka kaluar shumë që jemi duke u marrë me këtë problem dhe ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se çfarë ka ndodhur, krejt çka dimë janë se janë krijuar disa grupe punuese mes Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit dhe rektoratit.  E vetmja përgjigje e zyrtarëve të arsimit është se nuk po u vijnë në takim zyrtarët e rektoratit dhe të shëndetësisë, kur shkojmë në rektorat na thonë që ne nuk kemi nevojë me ardh, vetëm na ndani buxhetin sa ju nevojitet dhe bazën ligjore dhe e organizojmë modulet”, tha ai.

Studenti tjetër, Ramiz Kozhani tha se ky problem është trajtuar edhe nga Qeveria e Kosovës para 9 vitesh dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por sipas tij ky vendim nuk po merret parasysh.

“Që 9 vite e kemi vendimin nga Qeveria e Kosovës, e votuar në parlament dhe nuk merret parasysh, kemi pas takim me ministrin e Shëndetësisë i cili na ka premtu që ka me u zgjidh problemi, na ka dërgu në Ministrinë e Arsimit dhe kjo në rektorat, askush nuk ka vullnet për me e kryer punën me tutje. Ministria e Shëndetësisë nuk po na lejon me marrë licencë pa këto modulet shtesë”, tha Kozhani.

Ndërsa, zëdhënësi i MAShT-it, Valmir Gashi tha para mediave se kanë bërë një grup punues së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe rektoratin por se këta të fundit sipas tij nuk kanë ardhur në takime.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Qeverisë që është miratuar për këtë çështje gjatë vitit 2009 në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër.