Gjykimi për mashtrimin e punonjësve të bankës | Foto: KALLXO.com

Sot Gjykata Vendos për të Akuzuarit për Mashtrim të Bankës

Gjykata në Mitrovicë do ta shpallë sot aktgjykimin e saj për Florim Zekën, Ali Nurqajn, Labinot Ademin e Afrim Haxhën, të akuzuarit që vunë në lajthitje bankën duke marrë prej saj kursimet e vjetra devizore të Avdi Fekajt.

Në këtë proces gjyqësor dje u dha fjala përfundimtare, në të cilën prokurori special Haki Gecaj kërkoi që të akuzuarit të dënohen dhe që gjykata me këtë dënim t’u japë shembull edhe personave tjerë që mund të kryejnë vepra të tilla në të ardhmen.

Dje i dëmtuari Avdi Fekaj kërkoi që gjykata të vendosë t’i kthehen paratë, ngase deklaroi se është lodhur nga procedurat gjyqësore.

Ali Nurqaj, Labinot Ademi e Afrim Haxha po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekën si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, me të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja, sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues, kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj në shumën prej 173.944 euro.