I Akuzuari i Arsyeton 900 Mijë Eurot në Llogari

Në gjykimin e katër personave për vërjen në lajthitje të bankës si dhe falsifikimin e dokumenteve personale për tërheqjen e kursimeve të vjetra devizore, i akuzuari Florim Zeka u pyet për 900 mijë eurot që kishin dalë në llogarinë e tij bankare.

Zeka e arsyetoi prejardhjen e këtyre parave me disa biznese me të cilat ishte marrë, në mesin e të cilave përmendi edhe fitimet qe kishte pasur nga ndërmjetësimet për tërheqjen e kursimeve devizore.

Bashkë me Zekën në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe Ali Nurqaj, Labinot Ademi dhe Afrim Haxha që sipas prokurorisë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve arritën të mashtrojnë personelin e degës së Jugobankës në Zveçan, për të tërhequr prej saj kursimet e vjetra devizore të të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ali Nurqaj kishte thënë se është Avdi Feka për të tërhequr kursimet në emër të këtij personi.

Por i akuzuari Florim Zeka, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Ruzhdi Maloku, mohoi këtë mashtrim, duke thënë se për të Ali Nurqaj ishte Avdi Fekaj.

“Unë Avdi Fekën e njoh sepse kanë ardhë te shtëpia ime, ai me djalë dhe vajzë, kanë pasë një letërnjoftim të Kosovës që është identifiku si Avdi Feka, më ka tregu që ka kursime te vjetra dhe si mundem me i ndihmu, do të thotë Ali Nurqaj për mua është Avdi Fekaj“, tha i akuzuari Zeka.

Prokurori special Haki Gecaj e pyeti Zekën se a e kishte njoftuar të akuzuarin tjetër Labinot Ademi për problemet që kishte pasur me të paraqiturin si Avdi Fekaj.

“Po, sepse më kanë marrë në pyetje policia dhe prokuroria, unë i kam treguar për arsye se e njoh Labin dhe kam dashtë me i tregu se çfarë klienta kam, se një here të livdojnë, pastaj të akuzojnë“, tha i akuzuari Zeka.

Kryetari i trupit  gjykues Avni Mehmeti e pyeti të akuzuarin Zeka rreth disa bisedave telefonike me të akuzuarin Labinot Ademi, në të cilat Zeka kishte thënë se për ne Avdi Feka është Avdi Feka.

Zeka i sqaroi këto biseda me fjalët se për të Ali Nurqaj ishte Avdi Feka, pasi kishte letërnjoftimin origjinal të Fekës.

Por i akuzuari Zeka, duke iu përgjigjur pyetjeve të Skender Musës, avokatit të të dëmtuarit Avdi Feka, tha se nuk e ka njohur personin e vërettë me këtë emër, por vetëm Ali Nurqajn që është paraqitur me identitetin e Fekës.

Avokati Musa e pyeti Zekën nëse Ali Nurqaj i kishte treguar se në dhjetor të vitit 2010 i kishte terhequr 107,824 euro.

“Jo nuk e di, unë e kam marrë përqindjen në bazë të librezave të kursimeve që ka qenë 60% me 40% në rastin e Avdi Fekës, duke përfshi edhe shpenzimet e bankës “, tha Zeka.

Sherenmet Ademi, avokati i të akuzuarit Ali Nurqaj e pyeti të akuzuarin Florim Zeka se me kë shoqërohej Nurqaj gjatë takimeve që kishin tani dy të akuzuarit.

“Unë jam takuar disa herë me të, dy herë te shtëpia ime, dy herë në Pejë, ai ka qenë gjithmonë me dikë ku i ka prezantuar si djali apo vajza e tij “, shpjegoi i akuzuari Zeka.

Prokurori Haki Gecaj e pyeti Zekën se kur kishte deponuar para në vlerë më të lartë se 10 mijë euro, a kishte dhënë arsyetim ligjor për prejardhjen e tyre.

“Sa herë kam depozitu mbi 10.000 euro letrat i kam plotësu me ndihmën e një ekonomisti”, tha Zeka.

Ai shpjegoi se për të tërhequr kursime devizore në bankat e shtetit serb, ose degët e tyre duhet letërnjoftim biometrik i Serbisë dhe librezat origjinale të kursimeve.

Zeka tha se kur tërhiqen më shumë se 10 mijë euro duhen edhe pasaportë, patentë-shofer, apo librezë shëndetësore dhe një dokument që dëshmon se personi që tërheq kursimet nuk i ka borxh shtetit të Serbisë.

Seanca pastaj u nderpre për shkak se njëri nga anëtarët e trupit gjykues, gjyqtari Burim Ademi kishte qenë i zënë me një rast tjetër.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja, sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavertetë.

Në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj, në shumën prej 173.944 euro.