Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com
Shtyhet Seanca në Gjykimin e të Akuzuarve për Mashtrim të Bankës
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve personale, mashtrim dhe shpëlarje parash është shtyrë për një datë tjetër.
Të akuzuar në këtë rast janë Florim Zeka, Ali Nurqaj, Labinot Ademi dhe Florim Haxha.
Propozimi i dy të akuzuarve për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë ishte arsyeja që u shty seanca e sotme.
Zeka, Nurqaj, Ademi e Haxha po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.
Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.
Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.
Po ashtu, në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.
Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj në shumën prej 173.944 euro.
Në fillim të seancës prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës Haki Gecaj deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Ali Nurqaj avokati Sheremet Ademi dhe mbrojtësi i të akuzuarit tjetër Florim Zeka avokati Ruzhdi Maloku kanë kërkuar nga ai që të diskutojnë lidhur me arritjen e një marrëveshje në të cilën të pandehurit kishin shprehur gatishmërinë për pranimin e fajësisë dhe kompensimin e dëmit palës së dëmtuar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Florim Zeka avokati Ruzhdi Maloku deklaroi se me propozimin për arritjen e marrëveshjes me palët e dëmtuara i mbrojturi i tij është i gatshëm që të bëjë kompensimin e dëmit për palët e dëmtuara.
Kjo shumë sipas aktakuzës arrin vlerën rreth 200.000 euro.
Gjithashtu, edhe avokati Sheremet Ademi mbrojtës i të akuzuarit Avdi Fekaj deklaroi para Gjykatës se ai dhe kolegu i tij i lartcekur kanë kërkuar nga prokurori që eventualisht t’u mundësohet një bisedë për negocim të marrëveshje për pranim të fajësisë dhe mundësinë e kompensimit të dëmit nga i akuzuari Florim Zeka.
Kryetari i trupit gjykues i Gjykatës së Mitrovicës Avni Mehmeti me pajtimin e të gjitha palëve seancën e ardhshme e caktoi për më 22 janar dhe 5 shkurt të vitit 2018.
Ai u caktoi afat prej 30 ditësh palëve për mundësinë e arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë në lidhje më këtë aktakuzë.
Gjyqtari Mehmeti gjithashtu i njoftoi palët se në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje atëherëë shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë aty ku ka mbetur me marrjen në pyetje të të pandehurve.
Kurse dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Labinot Ademi dhe Afrim Haxha, deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtorë dhe se nuk pranojnë të diskutojnë lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky rast gjyqësor.