Gjykata Vendosi për Marrësit e Devizave me Mashtrim nga Banka

Në Gjykatën në Mitrovicë u dënuan Florim Zeka, Ali Nurqaj, Labinot Ademi dhe Florim Haxha në lidhje me marrjen me mashtrim nga banka të kursimeve devizore të Avdi Fekajt.

gjyqtari Avni Mehmeti shqiptoi dënimin për secilin nga të akuzuarit dhe për secilën nga veprat.

Kështu Florim Zeka për pikën 1 të aktakuzës veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë u dënua me 2 vjet burg,për pikën dy të aktakuzës- veprën penale mashtrim gjykata i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti dhe dënim me gjobë prej 3000 euro.

Sa  përket pikës tre për veprën penale mashtrim në raport me të dëmtuarin Bekim Maliqi, gjykata i caktoi dënim  me burg prej 1 viti  dhe gjobë 3000 euro, ndërsa për veprën penale shpëlarje të parave Zeka u dënua me burg në kohëzgjatje prej 1 viti dhe shumën prej 6000 eurove gjobë.

Zekës iu shqiptua një dënim unik me burgim në kohëzgjatje katër vjet e 10 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton KALLXO.

Atij në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 13.03.2013 deri me datë 11.03.2014.

Florim Zekës po ashtu i është shqiptuar dënim unik më gjobë në shumë prej 12.000 eurove të cilën duhet ta paguajë në afat prej tre muajsh pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi. Në rast mos pagese gjoba  I shndërrohet në dënim me burg.

Zeka po ashtu obligohet që të dëmtuarit Avdi Fekaj t’ia kompensojë për dëmin e shkaktuar shumën prej 172.944 eurove, kompensimin duhet ta bëjë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit në emër dhe llogari të të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Ndërsa në raport me të dëmtuarin Bekim Maliqi ta kompensojë në shumë prej 61.944 eurove pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Zekës i është shqiptuar edhe dënim plotësues edhe dënim plotësues me të cilin urdhërohet konfiskimi i dy automjeteve të cilat kanë qenë të ngrira sikur në vendimin e gjykatës si dhe urdhërohet që t’i sekuestrohet shuma e parave që gjendet në llogari të tij në vlerë prej 11.097 eurove, kurse pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit këto para do të kalojnë në llogari të të dëmtuarit Avdi Fekaj, po ashtu edhe paratë nga shitja e automjetit do të kalojnë në llogari të të dëmtuarit.

Florim Zeka është liruar nga akuza për veprën penalë falsifikim I dokumentit, raporton KALLXO.

I akuzuari tjetër Ali Nurqaj për pikën 1 legalizim i përmbajtjes së pavërtetë gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, për pikën dy të aktakuzës vepra penale mashtrim i cakton dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënim më gjobë në shumë prej 500 eurove.

Të njëjtit i është shqiptuar dënim unik 1 vit e 8 muaj, i cili dënim do të kushtëzohet në dënim më kusht për 5 vjet duke mos kryer ndonjë vepër tjetër penale.

Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 13.03.2013 deri me 17.12.2013.

Ali Nurqaj është dënuar edhe me gjobë në shumë prej 500 eurove të cilin duhet ta paguajë në afatin prej 3 muaj, si dhe obligohet ta kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj në shumën prej 1000 eurove si dhe të paguaj shpenzimet e procedurës në shumë prej 100 eurove.

Të akuzuarin Labinot Ademi gjykata e ka dënuar me burg në kohëzgjatje prej 1 vit e dy muaj, I cili po ashtu do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ademi është dënuar me gjobë në shumë prej 1000 euro të cilën gjobë duhet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, po ashtu duhet të paguajë shpenzimet e procedurës të cilat arrijnë shumën prej 300 euro.

Afrim Haxha është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 1 viti në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 27.03.13 deri me 08.11.13 për veprën penale rastet e veçanta të falsifikimit  të dokumentit.

Po ashtu i pandehuri obligohet që të paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 100 euro 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjithashtu urdhërohet që të shkatërrohet gjithë materiali që është gjetur në shtëpinë e tij që është vërtetuar se janë dokumente të falsifikuara.

Urdhërohet që të njëjtit t’i kthehet shuma e dorëzanisë në shumë prej 10.000 euro për të cilën është pajtuar prokurori i shtetit.

Po ashtu gjykata urdhëroi që të  anulohen të gjitha dokumentet e lëshuara më emër të Avdi Fekajt e me fotografi të Ali Nurqaj, siç janë letërnjoftimi i Serbisë dhe ai i Kosovës, qoftë brenda apo jashtë vendit.

Sipas aktakuzës së Prokuroris Speciale të Kosovës të pandehurit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja, sepse kinse të vjetrat u kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavertetë.

Në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj, në shumën prej 173.944 euro.