Gjykimi për Tërheqjen e Paligjshme të Devizave nga Banka në Zveçan

Në gjykatën në Mitrovicë vazhdoi gjykimi i Ali Nurqajt, Florim Zekës, Labinot Ademit dhe Afrim Haxhës që akuzohen se me dokumente të falsifikuara mashtruan personelin e një banke në Zveçan, duke tërhequr prej saj kursime të vjetra devizore që ishin në emër të të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në seancë me propozim edhe të palës së dëmtuar prokurori Haki Gecaj paraqiti prova të reja.

Bëhej fjalë për një kërkesë në gjuhën serbokroate në të cilën personi i prezantuar si Avdi Fekaj i ishte drejtuar Jugobankës – dega në Zveçan me kërkesë për lëshimin e librezave.

Gjithashtu si provë u paraqit edhe një deklaratë po ashtu në gjuhën serbo-kroate në të cilën tregohej se si u falsifikua dokumenti me të cilin i akuzuari Florim Zeka mashtroi personelin e bankës.

Prokurori propozoi edhe leximin e një aktgjykimi të Gjykatës së lartë në Beograd, nga i cili merrej vesh se kur ishte bërë tërheqja e 92 mijë eurove nga Florim Zeka kinse me autorizimin e Avdi Fekajt.

Dokumentet e propozuara nga prokurori ishin siguruar nga i dëmtuari Avdi Fekaj përmes proceseve gjyqësore në të cilat ai kishte marrë pjesë në shtetin e Serbisë.

Por propozimi i këtyre provave u kundërshtua nga avokatët Ruzhdi Maloku, Nikë Lumezi e Sheremet Ademi.

Avokati Ruzhdi Maloku tha se kundërshton deklaratën sipas së cilës konstatohet tërheqja e mjeteve nga i akuzuari Florim Zeka, pasi deklaroi se mungonte autorizimi.

Sheremet Ademi, mbrojtësi i të akuzuarit Ali Nurqaj kundërshtoi dokumentin- kërkesë bankës për ndërrim të librezave të kursimeve, duke thënë se i mbrojturi i tij nuk kishte bërë kërkesë të tillë.

Ndërsa avokati Nikë Lumezi, mbrojtës i Labinot Ademit kundërshtoi propozimin që të lexohet aktgjykimi i Gjykatës së Lartë në Beograd.

“E kundërshtoj propozimin që ka të bëjë me leximin e aktgjykimit të gjykatës së lartë në Beograd për dy arsye: sepse si dokument i një shteti të huaj nuk është siguruar në mënyrë diplomatike dhe si i tillë nuk mund të ketë vlerë provuese, ndërsa arsyeja e dytë ishte se aktgjykimi nuk është i formës se prerë “, tha Lumezi.

Trupi gjykues vendosi aprovimin në tërësi të këtyre provave duke theksuar se ato kishin një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e një vendimi të drejtë në lidhje me këtë çështje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja, sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavertetë.

Në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj, në shumën prej 173.944 euro.