SMS të Rinj në Fundin e Gjykimit të Doktorit

“Paraqesim kërkesë për plotësimin e provave. Në shkresat e lëndës ka ekzistuar një kërkesë për nxjerrjen e hyrjeve-daljeve të SMS-ve dhe sipas të njëjtës është vepruar mirëpo informacionet nuk janë sjellë deri më tani”, tha Hamiti.

Provat e reja u kundërshtuan nga avokati Shemsedin Piraj që në këtë rast mbron të akuzuarin Rashiti.

“Kjo është e papranueshme, pse janë dashur 5 vite me i sjellë këto prova, dhe atë tek në fjalën përfundimtare”, tha Piraj.

Me gjithë kundërshtimin e Pirajt, kryetari i trupit gjykues i pranoi provat e reja me aktvendim.

Pas pranimit të provave të reja, prokurorja e pyeti të akuzuarin se a kishte biseduar ndonjëherë me Riad Rexhepin përmes telefonit, ndërsa i akuzuari e mohoi këtë.

Prokurorja Hamiti insistoi duke e ballafaquar të akuzuarin me SMS-të që prokuroria pretendon se ai shkëmbeu me Riad Rexhepin e gjithashtu e pyeti nëse kishte komunikuar me Afrim Piren e Lavdije Ajvazin.

Por edhe pas ballafaqimit, Rashiti mohoi të kishte komunikuar me Riad Rexhepin, Afrim Piren apo Lavdije Ajvazin.

“Nuk po më kujtohen dhe po më duken të pakuptimta”, u përgjigj Rashiti.

Lidhur me SMS-ët, avokati Piraj nuk pati pyetje për të mbrojturin e tij, ndërsa gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare.

Prokurorja Hamiti tha se nga administrimi i provave është vërtetuar se Rashiti ka kryer veprën e ushtrimit të ndikimit.

“I akuzuari ka pranuar shuma të parave nga Skofiare Piraj, Lavdije Ajvazi, Riad Rexhepi në mënyrën e përshkruar në aktakuzë duke qenë pediatër në spitalin regjional të Gjilanit, duke shfrytëzuar pozitën e tij me qëllim të përfitimit ku nga këta persona ka marr shuma të parave me qëllim të ndikimit tek personat zyrtar për dhënien e provimeve dhe regjistrimin në fakultetin e mjekësisë”, tha Hamiti në fjalën e saj përfundimtare.

Pretendimet e Hamitit u kundërshtuan nga vet i akuzuari por edhe nga avokati  i tij.

“Aktakuza ka mangësi dhe turbulenca juridike. Me gjithë atë arsenal denigrimesh që përjetova, duke filluar nga arrestimi, burgosja, dhe shkrimet mediale, unë asnjëherë në jetën nuk e kam dëmtuar dikë ose i kam bërë dëm përkundrazi kam ndihmuar dhe jam angazhuar që Kosova të udhëhiqet nga njerëzit progresiv dhe të drejtë”, tha mjeku Rashiti para trupit gjykues.

Avokati Piraj, në anën tjetër, kundërshtoi pretendimin e prokurores se i mbrojturi i tij mund të ketë ushtruar ndikim në dikë.

“Çështja kryesore është se është tentuar që t’i jepet atributi i personit me ndikim por siç e dini ky është një pediatër dhe çfarë ndikimi mundet me pasë ky”, tha Piraj.

Gjithashtu Piraj pretendoi se në këtë rast ka ardhur deri tek parashkrimi absolut i veprës penale.

Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të palëve u vendos që verdikti i këtij rasti të jepet të hënën, më 19 dhjetor.

Aktakuza ndaj Sadik Rashitit ishte ngritur në vitin 2014 nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Aktakuza Rashitin e ngarkon me veprën penale ushtrimi i ndikimit. Aty thuhet se i pandehuri gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2010, i punësuar si mjek në Spitalin Regjional të Gjilanit, e ka shfrytëzuar atë pozitë dhe ka pasur ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Skofiare Pirajt në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2010/11.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në mënyrë që ta realizojë regjistrimin e Skofiarës nga babai i saj, i dëmtuari Afrim Pira nga Vitia, kishte kërkuar 6,000 euro, të cilat edhe i kishte marrë.

Prokuroria thotë se mjeku Sadik Rashiti edhe pas një viti, pra në vitin 2011, gjatë muajve gusht-shtator, ka përsëritur veprën penale ushtrimi i ndikimit. Duke shfrytëzuar pozitën e tij ka ushtruar ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Riad Rexhepit nga Vitia në Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji, Rashiti ka kërkuar dhe pranuar nga Rexhepi 5,000 euro. Përpos akuzave për regjistrim në fakultet, Rashiti akuzohet se ka ushtruar ndikim edhe te profesorët e lëndëve Kimi Organike dhe Kimi Inorganike  për dhënien e këtyre provimeve nga disa studentë. Të dëmtuarit kanë pranuar t’i japin para në mënyrë që t’i kalojnë ato lëndë për ta fituar kushtin për vitin e dytë.

Sipas aktakuzës, Rashiti në nëntor të vitit 2011 ka kërkuar 2,000 euro nga Lavdije Ajvazi nga Gjilani por më vonë ata ishin marrë vesh që këtë ta kryejnë për 1,800 euro.

Në të njëjtën periudhë, Sadik Rashiti akuzohet se ka kërkuar 2,500 euro nga studentja Skofiare Pira për të cilat thuhet se i ka marrë nga Lavdije Ajvazi.

Të gjitha këto pretendime të prokurorisë janë kundërshtuar nga i akuzuari Sadik Rashiti.

Dosjen e gjykimit të këtij rasti mund ta lexoni në këtë link.

http://kallxo.com/policia-nuk-arrin-ti-gjeje-deshmitaret/