Ilustrim

Ish-punonjësi i ‘ProCredit’ para gjykatës, por prokuroja e rastit shkon në seancë tjetër

Në Gjykatën e Prishtinës të martën ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Durim Xhihës, i cili akuzohet nga kishte keqpërdorur autoritetin dhe detyrën e tij zyrtar, duke qenë punonjës-zyrtar në “ProCredit” dega në Prishtinë.

Prokurorja e çështjes Dulina Hamiti, nuk mundi të paraqitej në këtë seancë, meqë ishte në një seancë tjetër në këtë gjykatë.

Kurse, ndryshe nga prokurorja, në seancë ishin të pranishëm mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Atdhe Dika, përfaqësues ligjor nga banka, Ramë Bajraktari dhe avokati Florin Vërtopi.

Xhiha, sipas dosjes së prokurorisë në mënyrë të paautorizuar kishte printuar materiale të dhënave financiare të 1 mijë e 461 klientëve të kësaj banke.

Sipas kësaj dosje, ai akuzohet se ka keqpërdorur pozitën e tij si Këshilltar për Biznese të Vogla në bankën në fjalë.

Para se të ishte në këtë pozitë, i akuzuari në qershor të vitit 2011 kishte qenë Zyrtar për Kredi, ku më vonë, 3 vite më pas ishte emëruar këshilltar.

I akuzuari ishte suspenduar nga puna në tetor të vitit 2016, kur rasti ishte paraqitur në polici nga përfaqësuesi ligjori bankës, Ramë Bajraktari, në emër të kësaj banke.

Vepra penale që po pretendohet se është kryer, sipas aktit akuzues është shtatori i vitit 2016 deri në tetor të po të njëjtit vit.

Të dhënat e klientëve që i akuzuari akuzohet t’i ketë printuar janë kodi i klientëve, numri identifikues, emri i klientit, kategoria, personi përgjegjës për klientin, aktiviteti ekonomik i tij, limiti financiar i aprovuar, shuma maksimale e ekspozimit të klientit e të dhëna bankare tjera.

Prokuroria pretendon se me këtë rast, bankës i është shkaktuar edhe dëm material.

Vepra penale sipas Kodit Penal, me të cilën ngarkohet i akuzuari është “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i këtij Kodi.

Gjykimi për këtë rast, do të vazhdojë më 15 nëntor, me gjyqtare të çështjes Alltën Murseli dhe anëtarë të trupit – Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi.