Skandali seksual me të miturën nga Drenasi, Shërbimi Korrektues i reagon avokatit të dyshuar

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar ndaj avokatit Gazmend Halilaj, i arrestuar nën dyshimin për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin.

SHKK i ka quajtur “rrena” deklaratat e avokatit Halilaj, i cili kishte thënë se ishte keqtrajtuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

“Gjatë kësaj periudhe kohore është trajtuar konform ligjit në fuqi, rregullave edhe rendit shtëpiak të QPL-së. Në dhomë ka qenë i shoqëruar nga dy të paraburgosur të tjerë dhe nuk është dalluar asnjëherë në trajtim, poashtu është ushqyer njësoi si të tjerët”, thuhet në reagimin e SHKK-së.

Sipas SHKK-së, Halilaj, ka pasur vizita të rregullta mjekësore, është vizituar nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe nga Zyra e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.

“Të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit trajtohen konform konventave ndërkombëtare, andaj SHKK dënon çdo dezinformoftë, e cila ka për qëllim zbehjen e imazhit dhe mundin e stafit të SHKK-së. Shërbimi Korrektues i Kosovës në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet në fuqi, qëllim primar ka respektimin e të drejtave fondamentale të njeriut, pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin”, thuhet tutje në reagimin e SHKK-së.

KALLXO.com ka siguruar të dhëna nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit të avokatit Gazmend Halilaj, i cili është arrestuar në muajin mars 2019 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe keqpërdorim seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com thuhet se Halilaj dyshohet se në cilësinë e avokatit të të dyshuarit Sh.Xh. (profesor) e ka shfrytëzuar rastin dhe ka krijuar afërsi me vajzën e mitur N. N. nga Drenasi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se si avokat i të dyshuarit ka përfituar nga ky rast dhe sipas tij që nga fundi i vitit 2017 është njoftuar më për së afërmi me tani të dëmtuarën N.N., ka filluar të shoqërohet me të dhe me të njëjtën është hy edhe në lidhje gjegjësisht raporte dashurie”, thuhet në në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj avokatit.

Në dosje tutje thuhet se ekzistojnë prova si ‘screen shots’ dhe audio incizime të cilat vërtetojnë dyshimet se Halilaj e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe ka shfrytëzuar viktimën N.N.

Avokati thuhet se e mbrojti profesorin deri në momentin kur viktima e ridenoncoi rastin në prokurori dhe Inspektorat Policor.

“I pandehuri Gazmend Halilaj duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka keqpërdor dhe tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që duke përfituar nga ai rast është afruar aq shumë me të dëmtuarën N. N. sa që edhe vet pastaj ka filluar ta keqpërdor seksualisht dhe të manipulojë me të duke e shtytë që ajo t`i denoncojë personat tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kanë bërë asaj”, thuhet në dosje të Prokurorisë.

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet

.