Ndërtesa e qeverisë | Foto: Atdhe Mulla

Sindikata e shërbyesve civilë kërcënon Qeverinë me grevë

Qeveria e Kosovës po përballet më “kërcënime” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lejon rritjen e pagës për zyrtarët qeveritarë, nga e cila përfitojnë rritje të pagës edhe gjykatësit e prokurorët.

Përveç, BSPK-së që kërkoi gjatë ditës ngritje të pagës edhe kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi në një deklaratë për KALLXO.com tha se do të futen në grevë sepse “Qeveria s’po merr vesh”.

“Unë do të ftoj grevë dhe besoj që edhe Kuvendi i Sindikatës ka me përkrahë këtë mendim dhe qëndrim të kryesisë, që me u fut në grevë shërbyesit civilë sepse Qeveria nuk merr vesh pa presione të caktume”, tha Zymberi për KALLXO.com

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos bëjë diskriminim ndaj shërbyesve civilë, duke shtuar se ekzekutivi e ka “okupuar” shërbimin civil të Kosovës.

“Unë si kryetar do të reagoj me gjithë fuqinë time dhe do të kërkoj nga Qeveria që të mos bëjë segregacion sepse edhe mbrëmë u pa, që ministri i Shëndetësisë i ngriti mëditjet dhe pagesat për kujdestari për stafin e kujdestarisë, edhe ne në stafin e shërbimit civil kemi kujdestarë dhe kemi rrezikshmëri, por askush s’merr. Le të deklaron Qeveria që e ka kap shërbimin civil, e ka okopu dhe ne ta dimë se çka me bo”, tha në mes tjerash për KALLXO.com, kryesindikalisti Zymberi.

Haradinaj sot gjatë ditës e vlerësoi si të drejtë kërkesën e BSPK-së, duke thënë se çështja e pagave do të rregullohet me ligjin e pagave dhe se do të ketë nivelizim të pagave.

https://kallxo.com/haradinaj-nga-rritja-e-pagave-perfitojne-600-gjyqtare-e-prokurore-e-pak-qeveritare/

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar në Facebook se Haradinaj nuk e ka zbatuar Ligjin e pagave të nëpunësve civilë për ngritje të pagës.

“Kryeministri i Kosovës është kujdesur që të dyfishojë pagat për anëtarët e kabinetit të tij, por jo edhe për të zbatuar nenin 18 të ligjit të pagave të nëpunësve civil. Ky nen thekson se për çdo vit të përvojës së punës, nëpunësit civil gëzojnë rritje të pagës bazë prej 0.5%. Për vitin 2018, ky nen është dashur të zbatohet nga data 1 prill 2018, por kjo nuk ka ndodhur”, ka shkruar Hoti në Facebook.