Shumica e grupeve parlamentare e mbështesin rezolutën për gjenocidin serb

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se si anëtar bashkëpunues i Komisionit Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, ka bërë përpjekje që ta bëjë një rezolutë e cila, sipas tij, ka mbështetje të plotë faktike, të dokumentuar dhe nga të gjitha zhvillimet që kanë ngjarë gjatë asaj kohe.

“Teksti i rezolutës ka marrë parasysh të gjitha instrumentet relevante për këtë çështje”, tha ai, në seancën e Kuvendit ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë.

Kurteshi shtoi se Grupi Parlamentar i VV-së e përkrahë dhe do ta votojë tekstin e kësaj rezolute.

Edhe deputetja Shqipe Pantina nga PSD, tha që edhe ky subjekt politik e përkrahë rezolutën për gjenocidin serb.

“Ne i japim mbështetje tekstit të rezolutës dhe do ta votojmë atë”, tha ajo.

Po ashtu, deputeti Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate tha se edhe ata i dalin në mbështetje rezolutës dhe do ta votojnë atë.

Edhe deputeti Albert Kinolli nga 6+ tha se e mbështesin rezolutën.

“Shpresojmë që kjo rezolutë ta vendos drejtësinë në vend dhe dhimbjet e familjarëve do t’i zbusë”, u shpreh deputeti.