Endrit Shala: Mos ta rrezikojmë bllokimin e vendit, të votohet projektligji i buxhetit për 2021

Shefi i grupit parlamentar NISMA-AKR-6+, Endrit Shala, ka kërkuar që deputetët të votojnë Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.

Shala tha se qytetarët duhet të paguhen dhe se të njëjtit nuk duhet të rrezikohen, andaj bëri thirrje që të votohet edhe buxheti për vitin e ardhshëm.

Në seancën e jashtëzakonshme e cila po mbahet sot me dy pika të rendit të ditës, ka filluar edhe diskutimi nga ana e partive politike në lidhje buxhetin për vitin 2021.

Në këtë seancë janë paraparë të mbahen dhe të diskutohen dy pika të rendit të ditës ajo për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 si dhe Votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh rrethanat e krijuara politike në Kosovë si pasojë e vendimeve të cilat janë pasoja juridike që ka ndodh pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë konsideratë nevojën që vendi të ketë siguri financiare dhe të mund të zbatohet pakoja për rimëkëmbjen ekonomike e po ashtu të mos rrezikojmë për paga qytetarët e Kosovës, mjekët, policët, ne si grup parlamentar NISMA- AKR- 6+, e konsiderojmë të nevojshme dhe kërkojmë nga deputetët votimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2021 dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Shala në kuvend.

Ai tutje shtoi se sektori publik dhe ai privat kanë nevojë që të marrin pagat ndërsa puna e deputetëve është që të votojnë buxhetin për vitin 2021 në mënyrë që të mos rrezikohet bllokimi i Kosovës.

“Asnjë arsye tjetër nuk na justifikon ne si deputet në raport me nevojën e qytetarit të Kosovës, të sektorit publik edhe privat ata i duan pagat e tyre ata e duan që të marrin pagat për detyrën dhe punën që kryejnë në Kosovë e ne si deputet duhet ta kryejmë detyrën tonë, miratimin e këtij buxheti dhe mos ta rrezikojmë bllokimin e vendit dhe bllokimin e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës”, shtoi Shala.

Thirrje për të votuar buxhetin për vitin 2021 bëri edhe deputeti i LDK-së Shkelzen Hajdini.

“thërras të gjithë deputetët ata që e duan shtetin, të votojnë miratimin e buxhetit për vitin 2021. Miratimi i buxhetit për vitin 2021 është i interesit vital për shtetin tonë. Ky buxhet mund të jetë i mangët në kuptimin e plotësimit të nevojave prej disa prej neve por ky buxhet është për sigurimin e stabilitetit financiare të shtetit dhe Kosovës”, tha Hajdini.