Shtyhet Seanca për Sulm dhe Tentim-Vrasje

Për shkak të mungesës së njërit të pandehur është shtyrë seanca e planifikuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore të Pejës.

“Meqenëse nuk ka ardhur i akuzuari Idriz Kurbogaj, gjykata vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore  për mbajtjen e shqyrtimit kryesor”, konstatoi gjykatësi i rastit, Sylë Lokaj.

Në këtë rast gjyqësor, Idriz Kurbogaj është edhe i pandehur edhe palë e dëmtuar.

Rasti ka të bëjë me një përleshje që ka ndodhur në dhjetor 2013 në Drelaj të Rugovës, më saktësisht në restorantin “Bjeshka”.

Për shkak të një konflikti të mëhershëm, të akuzuarit Bashkim Kurbogaj dhe Idriz Kurbogaj kishin sulmuar fizikisht Elez Lukajn dhe dy punëtorët e tij, Fidan Smajlin nga Peja dhe Resmi Kolecin nga Hasi i Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, pasi që përleshja kishte filluar në mes të të pandehurve, i akuzuari Elez Lukaj kishte shtënë me revolen e tij  dy herë në drejtim të të akuzuarit Idriz Kurbogaj, me ç’rast njëri plumb ka përshkuar boshtin kurrizor të të akuzuarit Kurbogaj. Për shkak të plagëve, Idriz Kurbogaj ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.

Prandaj, Lukaj akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Në anën tjetër, Prokuroria akuzon të akuzuarit Idriz dhe Bashkim Kurbogaj për veprën penale të sulmit fizik ndaj Lukajt dhe punëtorëve të tij.

Seanca e radhës u shty për datat 1 dhe 2 maj për arsye se njëri nga dëshmitarët që do të dëshmojë në lidhje me incidentin jeton në Austri.

“Me datën një dhe dy maj e vazhdojmë shqyrtimin kryesor në ora 10:00”, tha gjykatësi Lokaj.