Ilustrim

Shtyhet Seanca në Gjyqin Ndaj ish-Punëtores së ‘IPKO’-s

Mosparaqitja e dy dëshmitarëve të ftuar në Gjykatë ka bërë që të mos mbahet seanca ndaj ish-punëtores së kompanisë “IPKO”, Arbresha Hoti, e cila akuzohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Agron Bërbatovci, Jetnor Gashi, Kaltrina Shabani dhe Rrezarta Tërrnava përkundër se ishin ftuar në mënyrë të rregullt nuk janë paraqitur në Gjykatë për të dhënë dëshminë e tyre.

Kryetarja e trupit gjykues, Syzana Qerkini, njoftoi palët se dëshmitari Bërbatovci e ka njoftuar Gjykatën duke e arsyetuar mungesën e tij ndërsa dëshmitarët e tjerë nuk e kanë bërë këtë.

Ish-punëtorja e “IPKO”-s, Arbresha Hoti, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, akuzohet se në cilësinë e udhëheqëses së ekipit të kompanisë “IPKO”, me seli në Pejton, duke pasur për detyrë që pazarin e asaj pike ta dorëzojë në bankë, e njëjta nuk e ka bërë këtë në 6 raste.

Sipas Prokurorisë, e njëjta pazarin nuk e ka dorëzuar në bankë më 12, 15, 18, 19 dhe 20 prill si dhe me  20 maj të vitit 2011.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta në total nuk ka dorëzuar në bankë shumën prej 31.622 euro.

Hoti nuk e ka pranuar pretendimin e Prokurorisë dhe është deklaruar e pafajshme.