Komuna e Drenasit

Foto: Denis Sllovinja / Kallxo.com

Gjykata vendos për zyrtarin komunal të Drenasit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Udhëheqësi i Personelit në Komunën e Drenasit, Gëzim Shishani është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i njëjti është dënuar me 6 muaj dënim me burgim. Kurse për veprën penale të përvetësimit në detyrë i njëjti është liruar nga akuza pasi që nuk është vërtetuar se ka kryer këtë vepër penale për të cilën ngarkohet.

Dënimi me burgim  mund t`i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro me pëlqimin e të pandehurit.

Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla ka obliguar të akuzuarin që të bëjë kompensimin e dëmit që i është shkaktuar Komunës së Drenasit – të dëmtuarës, në shumën prej rreth 3500 euro.

I njëjti nuk kishte pranuar fajësinë për veprat që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gëzim Shishani, në pozitën Udhëheqës i Personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit nëntor të vitit 2008, në vazhdimësi deri në muajin korrik të vitit 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe ka realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3, në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5.

Ai akuzohet se në këtë mënyrë vetes i ka sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në shumë të përgjithshme prej 13,454.94€ me ç’rast i ka shkaktuar dëme Komunës së Drenasit me po atë shumë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Gëzim Shishani nuk e ka zbatuar vendimin e Kryetarit të Komunës së Drenasit të datës 19.06.2015, me të cilin vendim të pandehurit i është ndryshuar koeficienti i pagës nga 11.3 në koeficientin 9.5.

Sipas aktakuzës, Zyra e Personelit në Komunën e Drenasit, Udhëheqësi i Personelit Gëzim Shishani, obligohej për ekzekutimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Drenasit, i datës 19.06.2015. Por sipas aktakuzës Shishani nuk e ka përfillur vendimin e kryetarit dhe kështu ai akuzohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 13,454.94.