Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Stacioni i Autobusëve në Ferizaj tash e disa muaj po i paguan punëtorët me para në dorë

Që nga muaji korrik i këtij viti, Stacioni i Autobusëve në Ferizaj ka të bllokuar xhirollogarinë bankare.

Kjo ndërmarrje publike-lokale po paguan punëtorët me para në dorë shkaku i bllokimit të xhirollogarisë.

Kryeshefja ekzekutive e kësaj ndërmarrje, Albulenë Çalaj tha për KALLXO.com se deri tek bllokimi i xhirollogarisë erdhi për shkak të procedurës gjyqësore dhe përmbaruese për shkak të shkarkimit jo ligjor të një ish-drejtori në vitin 2014.

“Nga një problem i vitit 2014, ku ish drejtori është shkarkuar padrejtësisht, ai ka fituar vendimin e gjykatës që të kompensohen vitet sa ka qenë pa punë. Gjithashtu është kthyer në punë ne vendin ku ai ka zgjedh. Këtë vit gjykata përmes përmbaruesve në muajin korrik 2023 ka bllokuar xhirollogarinë e ndërmarrjes. Këtë ngarkesë ndërmarrja nuk ka pasë mundësi ta përballoj pasi të hyrat nuk mjaftojnë edhe për punëtorët tjerë për pagat edhe për këtë vendim” – deklaroi Çalaj për KALLXO.com.

Për këtë çështje gjyqësore, Kuvendi Komunal i Ferizajt kishte subvencionuar ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”.

“I jemi drejtuar komunës me një kërkesë që te na ndihmon me një subvencion. Kjo kërkesë ka dalë në Kuvendin Komunal, ku edhe është miratuar dhe tash jemi në pritje të ekzekutimit të mjeteve dhe neve të na ç’bllokohet llogaria. Në llogarinë e ndërmarrjes deponohet një pjesë e mjeteve nga ne por që nuk janë të mjaftueshme për të kryer as pagat dhe as përmbaruesin” – shtoi Çalaj.

Çalaj thotë se punëtorët e ndërmarrjes po paguhen me para në dorë.

“Kam kërkuar nga z.Hajrullahu (ish-drejtori) që të më jep një mundësi se si t’i paguaj punëtorët gjatë kësaj kohe deri sa te ç’bllokohet llogaria. Ai më ka propozuar që të marr një vendim nga bordi dhe të paguaj pagat me cash, kurse kontributet pensionale i paguajmë përmes bankës. Ashtu kam vepruar deri tani. Pres që sa më shpejt të dal nga kjo gjendje” – tha Çalaj.

Në seancën e muajit korrik të Kuvendit Komunal të Ferizajt u vendos që “Stacioni i Autobusëve” të subvencionohet me 60 mijë euro.

Sipas kryeshefes, në Stacionin e Autobusëve punojnë rreth 35 punëtorë, derisa pagat që jepen çdo muaj cash janë rreth 11 mijë euro.