Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë 'përfaqësim' në dialogun e Brukselit

Këshilltarët shqiptar të tre Kuvendeve komunale të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kanë miratuar sot deklaratën e përbashkët, me të cilën kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të Luginës në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më saktë zgjidhja e statusit të tyre.

Në kopjen e kësaj deklarate politike, të cilën e ka portali Presheva, ndër tjera thuhet se “Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet rajoni më I diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë”.

Në këtë deklaratë politike kërkohet realizimi i plotë i të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ngritja substanciale e monitorimit të vazhdueshëm të Bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të vlerësimit real të pozitës ë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Nga të gjitha palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet me aplikimit të parimit të reciprocitetit, me të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Tutje thuhet se pa zgjidhjen e këtyre të drejtave, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Kosoës e Serbisë.

Nga 68 këshilltarë shqiptar gjithsejtë nga Kuvendi komunal i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës morën pjesë 50 këshilltarë.