Takimi i ministres Nagavci me përfaqësues të shkollës “Sezai Surroi” nga Bujanoci, Foto: MASHTI/Facebook

Nagavci takohet me drejtuesit e shkollës së mesme shqipe nga Bujanoci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka takuar të martën përfaqësuesit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” nga Bujanoci.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, qëllimi i këtij takimi ka qenë që të flitet për mundësitë e vendosjes së bashkëpunimit sa i përket ngritjes profesionale të mësimdhënësve, si dhe shkëmbimit të nxënësve dhe mësimdhënësve, me qëllim njohjen e kulturës dhe krijimin e lidhjeve miqësore të nxënësve dhe mësimdhënësve nga të dy vendet.

Në këtë takim ministrja Nagavci ka përmendur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit, e cila përmes politikave të saj, i ka ofruar falas tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë atje.

“Ministrja Nagavci ka thënë se, asnjëherë nuk do të mungojë vullneti për të përmbushur kërkesat e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë, për aq sa është përgjegjëse Ministria, por edhe për të krijuar mundësi kontakti dhe bashkëpunimi me komunat, të cilat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive në organizmin e arsimit parauniversitar” – thuhet në komunikatën e MASHTI-t.

Ndërkohë që, drejtori i shkollës “Sezai Surroi”, Admir Nazific, e ka falënderuar ministren Nagavci për pritjen dhe mundësinë që kërkesat e tyre të adresohen aty ku duhet.