Shpend Maxhuni- Të Hyra nga Shumë Burime

Në formularin e deklarimit të pasurisë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka treguar se përveç pagës dhe mëditjeve nga puna në këtë institucion, paguhet 25 euro për një orë edhe në Akademinë Kosovare për Siguri Publike.

Drejtuesi i policisë nuk ka treguar sa orë ka mbajtur në këtë akademi as këtë herë, por as në deklarimin e kaluar të pasurisë.

Maxhuni merr pjesë edhe në takimet e Bordit të Akademisë Kosovare për Siguri Publike. Një takim paguhet 200 euro.

Të hyra Maxhuni ka edhe nga qiraja e banesës së prindit të tij.

Në deklarimin e pasurisë Maxhuni ka shkruar se ka pasuri të paluajtshme në vlerën 207 mijë euro.

Maxhuni ka deklaruar edhe dy makina në vlerën 17 mijë euro. Vitin e kaluar drejtori i policisë kishte vetëm një makinë.

Sipas deklarimit, Maxhuni ka të hyra vjetore prej 46 mijë e 827 eurove.

Maxhuni në deklarimin e sivjetshëm ka shtuar paratë e gatshme, por edhe pasurinë e luajtshme.