Edon Zeneli

Shoqata e Botuesve të Kosovës me kryesi të re

Shoqata e Botuesve të Kosovës nga 1 tetori i këtij viti është bërë me kryesi të re.

Kryetari ri i ShBK-së është zgjedhur Edon Zeneli, nënkryetar Artin Ahmeti, ndërsa sekretar Arbër Rrahmani.

Lajmi për Kallxo.com është konfirmuar nga kryetari i ri i kësaj Shoqate, Edon Zeneli, i cili përfaqëson shtëpinë botuese ‘Pema”.

Kryetari Zeneli ka thënë se mbledhja nga ku kanë dalë organet drejtues të ShBK-së është mbajtur më 1 tetor 2018, për hir të simbolikës që bart kjo datë, protestat e studentëve të 1997.

Përveç Zenelit, në kryesi të ShBK-së, janë edhe Artin Ahmeti nga shtëpia botuese “Artini”, Arbër Rrahmani nga “Faik Konica”, Daut Demaku nga “Mendimi pozitiv”, Lavdim Lepaja nga “Dija’.

Nga pozita e kryetarit të ShBK-së, Zeneli ka potencuar se Shoqata e Botuesve të Kosovës do të vazhdojë punën e mirë në përfaqësimin ndërkombëtar të botuesve.

Ndërsa ka thënë se sfidë mbeten kushtet në të cilat operojnë botuesit në Kosovë, pasi sipas tij, edhe pse ekziston baza ligjore, në praktikë botuesit nuk kanë mbrojtje ligjore nga fotokopjet dhe lehtësirat në tatim të parapara me ligj.

“E para kjo. E dyta, përfaqësimi në Këshillin e Librit do të jetë më i zëshëm. Këshilli i Librit nuk mund të vazhdojë me logjikën e klaneve dhe interesave të ngushta, duke shkelur ligjin e duke dëmtuar botues seriozë nga Kosova. Dhe e treta, ShBK do të angazhohet në anëtarësimin në shoqata ndërkombëtare të botuesve”, ka potencuar Zeneli.

Kryesia e ShBK-së zgjidhet me një mandat 2 vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera.