Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

MKRS-ja ndan 160 mijë euro për mbështetje të veprimtarisë botuese për 2020-ën

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë një shumë prej 160 mijë eurove për mbështetje të veprimtarisë botuese dhe blerjen e librave për 2020-ën.

Konkurset për blerjen e librave, mbështetje të botimeve dhe ai për revista janë hapur dhe botuesit e interesuar kanë afat që deri 02.03.2020 të dërgojnë ofertat e tyre në MKRS.

Një pjesë e mirë e kësaj shumë është dedikuar për mbështetje të botimit librave të rinj nga botuesit kosovarë.

Në një përgjigje për Kallxo.com, MKRS ka bërë të ditur se buxheti total i konkurseve; për mbështetjet të botimeve të reja, blerjes së librave dhe botimit të revistave, do të jetë 160, 000 euro për vitin 2020-ën.

“MKRS-së për përkrahjen financiare për blerjen e librave ka ndarë buxhet prej 40,000 euro. Të gjitha librat që do të blihen nga botuesit do të shpërndahen në Biblioteka Komunale dhe Ndërkomunale në të gjithë Kosovën”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Ndërsa, 80 mijë euro janë ndarë për financimin e botimeve të reja dhe 40 mijë për botimin e revistave.

“MKRS-së  për përkrahjen financiare për botimin e librave  ka ndarë buxhet prej 80,000 euro, ndërsa për përkrahjen financiare për botimin e revistave letrare ka ndarë 40,000 euro. Pra, 160,000 euro do të jetë buxheti total i konkursit të librit; për botim, blerje  dhe revista për  vitin 2020”, thuhet në përgjigjen e MKRS për Kallxo.com.