Sherifi: Telekomi ka dënim me vdekje me 1 mijë prerje

Shefi i grupit parlamentar të NISMA-s Socialdemokrate,  Bilall Sherifi, gjendjen në Telekom e ka përshkruar si një ‘dënim me vdekje’.

“Është një dënim i vjetër kinez me vdekje, që quhet vdekja me 1 mijë prerje, pra i dënuari ekspozohet në publik dhe çdo ditë i bëhet nga një prerje, dhe ai me një prerje nuk vdes mirëpo i duhen 1 mijë prerje që i dënuari të vdes, tash ne këtu ne shtyhemi se cila prerje ka qenë më e rrezikshme, a është prerja e quajtur Devolli, a është prerja e quajtur kaktus, a është mbi punësim, a është dividenca e kështu me radhë” tha ai.

Tutje Sherifi ka thënë që nëse vazhdohet në këtë mënyrë me debat e akuza nuk ndihmojmë në përmirësimin e gjendjes.

“Nëse ndalemi te historia sesi erdhi Telekomi deri në këtë shkallë ne do të mbesim duke vajtuar këto prerje, ky Kuvend dhe Qeveria duhet të ketë të qartë se çka do të bëjë me Telekomin si i dënuar me vdekje, kërkesa e parë do të ishte që tia shërojmë plagët e shkaktuara nga prerjet”, tha ai.

Sipas tij akterët e përfshirë duhet të kenë një patente për ta zgjidhur këtë krizë.

“Unë nuk kam një patent sesi mund të dilet nga kjo situatë por besoj që të gjithë së bashku dhe maxhmenti i Telekomit, Bordi, Qeveria, ministria duhet të ketë një projekt sesi ta mbajë këtë ndërmarrje, kjo do të ishte një prerje për të gjitha prerjet” tha ai.