Serbia nën Presion për Zgjidhjen e Vrasjes së Vëllezërve Bytyqi

Në një letër dërguar liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të BE-së të premten, një grup aktivistësh të të drejtave të njeriut, avokatë dhe akademikë, përfshirë ish-zyrtarë amerikanë, bënë thirrje që të ushtrohet presion mbi Beogradin për të zgjidhur vrasjet e vëllezërve Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë, të cilët u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe.

Letra, e cila përkon me 17-vjetorin e vdekjes së tyre, i bën thirrje zyrtarëve të qeverisë amerikane, të Senatit dhe të Bashkimit Evropian “të ndërmarrin hapa konstruktive për të siguruar përkushtim më të mirë dhe përpjekje nga udhëheqësit dhe institucionet e Serbisë për të zgjidhur rastet e krimeve të luftës, përfshirë edhe rastin e vëllezërve Bytyqi”.

“Kjo çështje duhet të ngrihet si pjesë e dialogut tuaj të vazhdueshëm me qeverinë serbe, parlamentin dhe liderët e shoqërisë civile,” thuhet në letër.

Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi shkuan të luftonin për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës, ndërsa kalonin mbi një vijë të pashënuar kufitare midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi kryen dënimet e tyre për kalim ilegal të kufirit, ata u arrestuan përsëri ndërsa largoheshin nga burgu në qytetin e Prokupljes në Serbinë jugore, u çuan në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një depo atje.

Ata u lidhen me tela nga persona të panjohur dhe u çuan në një vendgrumbullim mbeturinash, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe më 9 korrik 1999.

Çështja ka mbetur e pazgjidhur që atëherë dhe ka vazhduar të jetë një problem i madh bilateral midis Serbisë dhe SHBA-ve.

Dy policë që besohej se kishin lidhje me vrasjen u nxorën në gjyq, por u liruan nga akuzat.

Nënshkruesit e letrës vunë në dukje “shqetësimin e thellë në lidhje me ritmin e ngadaltë të ndjekjeve penale të krimeve të luftës në Serbi, përfshirë dështimin e saj për të zgjidhur vrasjen e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit”.

Ata i quajtën të dhënat e Serbisë në lidhje me këtë çështje “të mjera dhe të papranueshme”.

“Në çështje Bytyqi, liderët politikë serbë kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme në përmbushjen e premtimeve që i kanë bërë zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe zv/presidentin Joe Biden dhe Sekretarin e Shtetit John Kerry,” tha Praveen Madhiraju, një përfaqësues ligjor i familjes Bytyqi në një deklaratë të përfshirë në letër.

Presidentët dhe kryeministrat e Serbisë janë zotuar për vite me radhë për zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Në qershor 2015, kryeministri Aleksandër Vuçiç tha se çështja Bytyqi do të zgjidhej “shumë shpejt ose më shpejt nga sa priten”.

Megjithatë, një vit më vonë, nuk është bërë asnjë progres i dukshëm.

Letra i bën thirrje Brukselit dhe Uashingtonit t’i bëjnë presion Serbisë për krimet e luftës gjatë bisedimeve të saj për anëtarësim në BE.

Pritet që këtë muaj Serbia të hapë Kapitullin 23 të negociatave, pjesa që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Në planin e saj të veprimit për Kapitullin 23, qeveria serbe premtoi se do të zgjidhë të gjitha rastet e krimeve të luftës dhe madje edhe miratoi një strategji për krimet e luftës.

Megjithatë, ndjekjet penale të të dyshuarve për krime lufte kanë rënë ndjeshëm në vitet e fundit.

Sipas raportit të Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd për çështjet e drejtësisë tranzicionale në Serbi nga viti 2013 deri në vitin 2015, i cili u botua muajin e kaluar, gjatë tre viteve të fundit, janë konfirmuar 14 aktakuza – shtatë në vitin 2013, shtatë në vitin 2014, por asnjë në vitin 2015.

Që prej themelimit të saj në vitin 2003, zyra e prokurorisë serbe për krimet e luftës ka nxjerrë 62 padi, me 43 raste që kanë përfunduar me marrjen e një vendimi.

Tanya Domi, një profesore në Universitetin e Kolumbias dhe këshilltare e grupit Freedom House, tha në një deklaratë që u përfshi gjithashtu në letrën dërguar liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të BE-së se zyrtarët serbë po pengonin progresin e vendit të tyre duke mos trajtuar krimet e luftës.

“Rruga e Serbisë drejt shndërrimit në një shtet demokratik kërkon që ajo të përballet me të kaluarën e saj duke dhënë ndëshkime nëpërmjet proceseve ligjore të fuqishme dhe transparente,” tha Domi.