Ilir Meta kujton vëllezërit Bytyçi në 21 vjetorin e vrasjes

Presidenti i i Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar 21 vjetorin e vrasjes së vëllezërve vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.

Meta ka deklaruar se ndonëse kanë kaluar 21 vite nga “vrasja e pabesë” e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij “krimi monstruoz”.

“Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tone”, ka shkruar Meta në Facebook.

Presidenti shqiptar mes tjerash ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës në ShBA ndër dekada.

Kurse, Ambasada amerikane në Beograd tha të martën se drejtësia për tre vëllezërit Bytyçi, shtetas amerikanë, të vrarë në vitin 1999, është përparësi në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vrasjen e tyre.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “8 korriku është përvjetori i vrasjes së Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyçit. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ka pasur pak përparim në hetimin e duhur dhe të plotë të vrasjes së këtyre qytetarëve amerikanë pas arrestimit dhe lirimit të tyre në duart e njësive të posaçme të policisë serbe në vitin 1999”.

Të tre vëllezërit Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e presidentit Meta në Facebook:

Çdo 8 korrik, kombi shqiptar nderon me respekt e mirënjohje kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku”, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, nderin e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Ndonëse kanë kaluar 21 vite nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz! Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë.

Vëllezërit Bytyçi me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, që sollën Kosovën e lirë e të pavarur, do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja. Sepse liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.

Mirënjohje diasporës sonë në SHBA për kontributin e shkëlqyer të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare ndër dekada, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve tona, për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.

Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës, si dhe të mbarë kombit tonë! ??????