Haradinaj përshëndet rezolutën amerikane për vëllezërit Bytyqi

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës nga Kongresi Amerikan për vëllezërit Bytyqi.

Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë, për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb të kryera në Kosovë.

“Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfishtë që i bëhet familjes Bytyqi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri”, ka shkruar lideri i AAK-së në rrjetin social ‘Facebook’, të mërkurën.

Sipas tij, kjo rezolutë është mesazh i qartë për shtetin serb, se “pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Gjithashtu ai i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që ti hapin rrugë drejtësisë.

“I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe ti hapin rrugë drejtësisë”, ka shtuar Haradinaj.

KALLXO.com raportoi sot se Dhoma e Përfaqësuesve të martën unanimisht miratoi rezolutën që i bën thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë dhe gjykojnë sa më shpejt të jetë e mundur “ata zyrtarë aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës” për vrasjen e Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqit në Serbi në korrik 1999 .

Kongresi Amerikan, thirrje Serbisë të gjejë vrasësit e vëllezërve Bytyqi