Sekuestrohet pasuri e paluajtshme në vlerë 1 milion euro
Seksioni Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka vënë në sekuestro një shumë të konsiderueshme të hollash dhe pasuri të paluajtshme të shtetasit Xh.S., 57 vjeç, nga ky qytet.
Pas një hetimi dyvjeçar të zhvilluar me metoda speciale është arritur të dokumentohet se 57 vjeçari e ka përfituar këtë pasuri në bazë të aktivitetit kriminal të ushtruar në Itali, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Ai është dënuar në Itali me 3 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Gjobëvënie e kryer në bashkëpunim”.
Në përfundim të hetimeve u bë sekuestrimi i llogarive bankare me vlerë 30 milion lekë dhe 5.770 euro, si dhe 7 pasuri të paluajtshme si truall, banesa, garazh, apartamente me një vlerë monetare në total rreth 1 milion euro, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm.
Sipas Policisë së Shtetit, materialet hetimore u kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.