Ilustrim – Foto: Policia e Kosovës

Sekuestrohen Armë Ilegale në Prizren

Në dy raste të ndryshme policia e Stacionit “Veriu” në Prizren ka sekuestruar armë ilegale.

Rreth orës 05:10 minuta të ditës së djeshme në rrugën “Ismail Kryeziu” në Arbanë është ndaluar një automjet i llojit “Vw Passat” mbi bazën e dyshimit se pasagjeri përderisa automjeti ishte në lëvizje me pistoletë kishte shkrehur tre fishekë në ajër.

Sipas një komunikate të Policisë Rajonale të Prizrenit në automjet ndodheshin tre persona të cilët janë shoqëruar për në stacion policor dhe u është bërë alkool testi, i cili ka rezultuar pozitiv.

Më vonë është intervistuar i dyshuari në prani të avokatit mbrojtës me ç ’rast janë sqaruar rrethanat.

Arma e sekuestruar është pistoletë “ZORAKI” M 906B me tre fishekë dhe tri gëzhoja, të cilat do t’i kalojnë prokurorisë së shtetit për procedura të mëtejme. I dyshuari është arrestuar.

Ndërkaq, rasti tjetër ka ndodhur rreth mesnate në lagjen “Dardani” përderisa një patrullë po patrullonte në lagje e ka ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit të dokumenteve, polici ka vërejtur se ne ulëset e pasme të automjetit shihej një armë e gjatë e llojit “Thomson” e prodhimit anglez e kalibrit 45M1 me 38 fishekë.

Arma është sekuestruar nga krim teknikët ndërsa të dyshuarit janë intervistuar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë liruar ndërsa hetuesit policorë po punojnë për të zbardhe se çfarë po planifikonin të dyshuarit e armatosur në mesnatë.