KALLXO 360: Sekiraqa e Cilëson Politike Aktakuzën

 

“Ky është gjyq i kryer ende pa ia nisur, sepse unë e di kah kam shkuar dhe çka kam bërë, kjo është aktakuzë politike, për këtë akuzë është ngritur zëri edhe në Parlamentin e Kosovës,” tha Sekiraqa.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Sekiraqa tha se “shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kosovë u ka kërkuar subjekteve tjera politike që të distancohen nga unë”

Enver Sekiraqa më tutje deklaroi se për vrasjen e Triumf Rizës është dënuar dikush.

“Vrasja e Triumf Rizës është një konspiracion ndaj meje, pasi që për atë vrasje është dënuar një njeri,” tha Sekiraqa, duke aluduar në dënimin e Arben Berishës me 35 vjet burg për vrasjen e ish-policit Riza.

Pyetjes së prokurorit në lidhje me vrasjen e Rizës, Sekiraqa iu përgjigj me fjalët se nuk ishte aty kur ajo ndodhi.

“Unë nuk jam analist i vrasjeve. Unë nuk kam qenë aty në vrasje,” tha Sekiraqa.

Më tutje Sekiraqa si edhe në seancat e kaluara që nga 3 marsi kur filloi mbrojtjen mohoi se e çonte keq me Rizën, policin e vrarë në vitin 2007.

“Unë nuk kam pasur kurrë kontakt me Triumf Rizën. Unë s’kam pasur asnjë problem me Triumfin,” tha Sekiraqa.

Ai tha se paratë i ka fituar nga puna, ndërsa deklaroi se nuk është i pasur.

“Unë të hollat i kam fituar duke u marrë me tregti me kerre, ndërsa babai im ka qenë mjeshtër. Unë jo vetëm në vitin 2007, por edhe në vitet ’90 e kam pasë gjendjen financiare mesatare, po i pasur nuk jam,” tha Sekiraqa.

Ai më tutje mori shembull se si ka fituar para.

“Një xhip “Shiroka” e kam blerë 19.000 euro e kam shitë 32.000 euro, kështu kam fituar para,” tha Sekiraqa.

Më pas prokurori në gjykatë ia tregoi Sekiraqës disa foto ku ai shihet në një tavolinë me Arben Berishën, të dënuarin për vrasjen e Triumf Rizës.

Sekiraqa duke e komentuar këtë fotografi, tha se nuk kishte shoqëri me Berishën, por personat që ndodheshin në atë tavolinë i kishin kërkuar atij të dilte në fotografi me ta.

Sekiraqa mohoi se është shoqëruar shumë edhe me Ilir e Rrahim Abdullahun, të përfshirët në vrasjen e ish-policit Riza, por prokurori ia tregoi një fotografi ku ai shihet me këta të dy.

Sekiraqa tha se fotoja është bërë te xhaxhai i tij në Orllan të Podujevës.

“Driton Sekiraqa dhe Arben Berisha kanë ardhur te unë pasi që kanë dëgjuar muzikë në oborrin e shtëpisë sime dhe unë nuk kam mund me i njekë nga shtëpia, mirëpo nuk kanë qene te ftuar,” deklaroi Sekiraqa, pasi që në sallën e gjykimit prokurori e lëshoi një xhirim ku shiheshin Driton Sekiraqa dhe Arben Berisha.

Sekiraqa pastaj tha se disa herë ka qenë i plagosur, por vetë nuk ka përdorur armë.

“Unë disa herë kam qenë i plagosur dhe i burgosur dhe nga parafina ka dalë qe unë s’kam përdorur armë,” tha Sekiraqa.

Ai mohoi edhe se ka pasur truproje.

Prokurori ia prezantoi Sekiraqës raportet lidhur me disa incidente që i kishte paraqitur Triumf Riza duke filluar nga viti 2001, 2003, 2004, 2005 dhe 2006, mirëpo i akuzuari Sekiraqa deklaroi se në asnjërin prej tyre nuk përmendet ai.

“Për një kohë te shkurtër ka me u turpëruar ky me të dhe policët tjerë që ky i ka sjellë si dëshmitar, pasi që sipas fjalëve që po fliten ata janë të involvuar në vepra te ndryshme, duke filluar nga krimet e luftës, vrasjet politike,” tha Sekiraqa gjatë marrjes ne pyetje nga ana e prokurorit.

Seanca e kaluar ishte e mbyllur me kërkesë të prokurorit Andrew Carney, pasi prokurori Carney kishte thënë se do t’i shtrojë pyetje të ndjeshme Sekiraqës. [interaction id=”56dff3994ab46a0103aae614″]