Takimi Schmidt-Krasniqi | Foto: KALLXO.com

Schmidt: E Njoh Kosovën kur Ishte Shumë Keq

Christian Schmidt, ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë së Gjermanisë gjatë takimit me ministrin e Bujqësisë së Kosovës Memli Krasniqin tregoi se në të kaluarën si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes ka pasur njohuri për Kosovën.

“Më lejoni të them se një pjesë e së kaluarës sime politike ka të bëjë me ndryshimet e vendit tuaj. E njoh Kosovën nga kohët kur ajo ishte shumë keq. Në atë kohë unë isha pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes,” tha Schmidt.

Ai deklaroi se prioritet është zhvillimi i Kosovës të cilën dëshiron që të integrojë në bashkësinë e vlerave evropiane.

Schmidt tha se për t’u eksportuar në Evropë duhet t’i kushtohet rëndësi kontrollimit të cilësisë së produkteve kosovare.

“Laboratori i analizave për kualitetin e produkteve është detyrë e rëndësishme për mundësitë e plasimit të produkteve në Evropë,” tha Schmidt.

Ministri Memli Krasniqi tha se Gjermania në vazhdimësi ka ndihmuar Kosovën.

“ Kisha kënaqësinë që sot të vazhdojmë diskutimet konkrete në fushat e ndryshme ku ne shpresojë që të kemi asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë. Normalisht Gjermania në vazhdimësi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin  e përgjithshëm të Kosovës duke përfshirë edhe fushën e ekonomisë por edhe të bujqësisë,” tha Krasniqi.

Krasniqi përmendi ndihmën gjermane për sigurinë e ushqimit në Kosovë.

“Në kuadër të programeve të BE-së ne kemi përfituar mbështetje nga ekspertiza gjermane për sa i përket sigurisë së ushqimit,” tha Krasniqi.

Krasniqi u pyet nga gazetarët për sëmundjen gungore të gjedheve. Tha se të gjitha gjedhet tashmë janë vaksinuar në Kosovë, ndërsa do të kompensohen fermerët që kanë humbur ato nga kjo sëmundje.