Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës - Foto: REL

Rrogat me rritje, zgjerohet hendeku mes sektorit publik dhe privat’

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka reaguar rreth votimit të projektligjit për paga, duke thënë se votimi i këtij projektligji zgjeron hendekun në mes të sektorit privat dhe atij publik.

Pupovci ka thënë po ashtu se votimi i këtij projektligji është një sfidë dhe jo mburrje.

“Nga Ligji për pagat përfitojnë rreth 80,000 punonjës të sektorit publik, ndërsa rreth 270,000 të tjerë që punojnë në sektorin privat mbeten aty ku kanë qenë. Në vitin 2012 paga mesatare në sektorin publik ka qenë 407 euro, ndërsa në sektorin privat 367 euro. Brenda 5 vitesh, paga mesatare në sektorin publik është rritur për 25% duke arritur në 509 euro, ndërsa në atë privat vetëm për 4.6%, në 384 euro. Pra, në vitin 2017, paga mesatare në sektorin publik ka qenë për 1/3 më e madhe se në sektorin privat.

Me rritjen e sotme të pagave, hendeku në mes të dy kategorive po zgjerohet, ende nuk e dimë sa. A po mendon dikush për këta 270,000 qytetarë që përbëjnë ¾ e të punësuarve në Kosovë? Si do ta përballojnë rritjen e pritshme të çmimeve ata dhe familjet e tyre? Sa vende pune do të mbyllen nëse punëdhënësit privatë vendosin ta përcjellin trendin e rritjes së pagave, duke shtuar kërkesat ndaj punëtorëve që mbeten në punë?

Prandaj, nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e pagave. Sfidat tek po fillojnë”, ka shkruar Pupovci në Facebook.

Sot në Kuvendin e Kosovës disa orësh debat dhe votim të mbi 70 amendamenteve, Kuvendi i Kosovës ka votuar projektligjin për paga me 63 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Përmes këtij projektligji shumë zyrtarëve të sektorit publik i’u është rritur paga.

https://kallxo.com/kalon-projektligji-per-paga/