Festimi i ditëlindjes së Titos në Tivat, Mal i Zi, në 2015. Foto: Facebook.

Rritja e Nostalgjisë për Jugosllavinë ‘Pasqyron Problemet Bashkëkohore’

Disa ish-shtete jugosllave mund të jenë më pak nostalgjike për kohën e Jugosllavisë sesa disa të tjera  sepse ato kanë qenë më të suksesshme në ndërtimin e kombit, sugjeroi Vjeran Pavlakoviç, një historian që udhëhoqi një ekip që hetoi procesin e ndërtimit të kombit në Ballkanin Perëndimor, hulumtimet e të cilit sapo janë publikuar në gjuhën kroate.

Sipas rezultateve të një studimi të kryer në vitin 2011 nga agjencia kroate Ipsos, i cili është përfshirë në hulumtim, vetëm pesë për qind të qytetarëve të Kosovës dhe 18 për qind të qytetarëve kroatë u vjen keq për shpërbërjen e Jugosllavisë.

Përqindjet e njerëzve që u vjen keq për shpërbërjen janë shumë më të mëdha në shtete të tjera post-jugosllave: 45.3 për qind në Maqedoni, 63.1 për qind në Mal të Zi dhe 68.2 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Qytetarët serbë janë më nostalgjikët për kohën e jugosllavisë, me 70.9 për qind që u vjen keq që Jugosllavia nuk ekziston më, sipas sondazhit.

“Mendoj se Kroacia i siguroi qëllimet e saj gjeo-strategjike, arriti të bëhej një shtet i pavarur dhe ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit e mbështesin më shumë këtë shtet të ri (Kroacinë e pavarur), të ndikuar nga kjo “rritje” e ndërtimit të narrativave të “ne si fitimtarë”, tha Pavlakoviç, duke shtuar se ai mendon se e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.

Ai sugjeroi se kjo nënkupton se “proceset e ndërtimit të shteteve ishin ‘të suksesshme’ dhe praktikisht kanë përfunduar në këto shtete”.

Pavlakoviç tha se vende të tjera ish-jugosllave “janë në një farë mënyre, shtete të papërfunduara” – Bosnja me dy entitetet e saj politike, Serbia që humbi luftërat e viteve 1990 dhe po përballet me pavarësinë e Kosovës dhe Maqedonia me problemet e saj të brendshme politike.

Kontrolli për kufijtë mbetet një faktor i rëndësishëm në këto vende, për shkak të frikave të vazhdueshme për ndarje,” shtoi ai.

“Në këtë kuptim, nuk është e çuditshme që u krijua kulti i presidentit jugosllav Josip Broz Tito, që njerëzve u vjen keq për shpërbërjen e Jugosllavisë, duke theksuar se ata jetonin më mirë në të kaluarën,” shpjegoi ai.

“Mendoj se kjo marrëdhënie ndaj Jugosllavisë është më shumë një pasqyrim i problemeve të sotme dhe jo një rezultat i jugosllavizmit si një ideologji,” shtoi ai.

Në anketim, dy për qind e njerëzve në Kosovë dhe 2.8 për qind e njerëzve në Kroaci thanë se ata e konsiderojnë ende veten jugosllavë, ndërsa 28.1 për qind e malazezëve dhe 31.8 për qind e serbëve e konsiderojnë veten ende jugosllavë.

Hulumtimi, i titulluar “Strategjitë e Ndërtimit Simbolik të Kombit në Shtetet e Ballkanit Perëndimor: Qëllimet dhe Rezultatet”, u krye në vitin 2011 në Shqipëri, Bosnjë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Versioni në anglisht i librit u botua në maj të vitit 2014.